Koçiu viziton efektivët e plagosur pas protestës së opozitës: Janë 16 të lënduar. Dhunë barbare ndaj forcave të rendit

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, pas vizitës në Spitalin e Traumës, ka shkuar në QSUT për të vizituar efektivët e plagosur gjatë protestës së opozitës. Ajo bëri me dije se janë 16 efektivë të lënduar dhe shtoi se protesta e sotme kishte për qëllim vetëm të ushtronte dhunë ndaj forcave të rendit.

“Erdhëm të shohim efektivët e lënduar. Protesta e sotme, e cila sipas nesh duhet të jetë e drejtë dhe paqësore, kaloi në një nivel të paprecedentë dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Është protesta e dytë që drejtohet ndaj punonjësve të policisë, dhe drejtuesi i saj, Sali Berisha, është i vetmi që mund të udhëheqë protesta të tilla dhune ndaj efektivëve, të cilët janë prindër, vëllezër dhe që çdo ditë punojnë për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve,” tha Koçiu.

Ministrja theksoi se është e drejtë e punonjësve të policisë të reagojnë dhe se do të vihet drejtësia për të gjithë ata që u bënë pjesë e dhunës ndaj efektivëve.

“Qëllimi i vetëm i protestës së sotme ishte të godisnin punonjësit e Policisë së Shtetit. Janë 16 efektivë që po marrin trajtim mjekësor dhe disa nga ata kanë pësuar dëme të konsiderueshme, por po marrin kujdesin e nevojshëm. Ju uroj shërim të shpejtë,” përfundoi ministrja.

Opozita zhvilloi këtë të martë, 10 shkurt, protestën e radhës kombëtare në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe hedhje molotovësh drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Skenari i protestës së sotme duket se pasqyroi ngjarjet e protestës së kaluar, ku u hodhën molotov drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit. Për të shuar flakët dhe larguar protestuesit, ndërhynë autobotët me ujë, ndërsa u përdor edhe gaz lotsjellës.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme