Tenderi 4.1 mln euro – SPAK merr të pandehur ish-Kryetarin e Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci dhe 3 të tjerë

Aktualitet | 9 muaj më parë

SPAK ka marrë të pandehur ish-kryetarin socialist të Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me procedurën 4.1 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësit rajonal. Bashkë me të janë dërguar për gjykim edhe ish-nënkryetarja Edmonda Harizi, ish-drejtori i Shërbimeve Publike Feta Hoxha dhe administratori Bersant Ylli.

Hetimi nisi pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në tetor 2024 dhe ka në fokus tenderin e vitit 2021 për ndërtimin e ujësjellësit që përfshin disa fshatra dhe qytetin e Memaliajt, me fond mbi 493 milionë lekë.

Sipas SPAK, zyrtarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar avantazhe të padrejta për bashkimin e operatorëve “KEG” dhe “ED Konstruksion”, duke i shpallur fitues edhe pse kishin mangësi në dokumentacion, veçanërisht në kriteret e kapacitetit teknik.

Gjithashtu, është pranuar si nënkontraktor kompania “Artreum Generation”, e cila kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike, duke u gjendur në konflikt interesi dhe pa përmbushur kriteret ligjore.

SPAK ka ndarë çështjen për hetime të mëtejshme sa i takon zbatimit të kontratës, ndërsa dosja kryesore është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme