Komisioni i Ekonomisë rrëzon uljen e TVSH-së së shportës dhe ndryshimin e akcizës së birrës, miratohet Agjencia e re e Mbikëqyrjes

Ekonomi | 9 muaj më parë

Komisioni parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat ka zhvilluar një mbledhje me debate, ku mazhoranca ka rrëzuar dy nisma ligjore të opozitës që synonin lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët dhe prodhuesit vendas.

Nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, komisioni shqyrtoi tri projektligje, nga të cilat vetëm nisma e qeverisë për Agjencinë e Mbikëqyrjes së Vendimeve Penale mori dritën jeshile.

Nisma e parë e rrëzuar ishte ajo e deputetes së PD, Jorida Tabaku, për ndryshimin e ligjit të akcizave. Tabaku kërkoi rikthimin e skemës së diferencuar të taksimit për birrat artizanale, duke argumentuar se kjo do të mbronte prodhimin “Made in Albania” nga zhvlerësimi i Euros dhe konkurrenca e pandershme. Megjithatë, relatori i mazhorancës, Admir Kadeli, dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave argumentuan se ligji aktual është i harmonizuar me direktivat e BE-së dhe se diferencimi do të nxiste informalitetin. Gjithashtu, u rrëzua edhe amendamenti i deputetit Eno Bozdo për gazin industrial.

“Jo” uljes së TVSH-së për ushqimet

Debati më i fortë u zhvillua mbi nismën e Partisë së Lirisë për uljen e TVSH-së nga 20% në 5% për produktet e shportës bazë. Deputetët nismëtarë (Xhixho, Haxhinasto, Blushi) e cilësuan këtë si një masë jetike sociale për të ndihmuar pensionistët dhe familjet në nevojë përballë rritjes së çmimeve.

Mazhoranca e hodhi poshtë propozimin me argumentin se ulja e TVSH-së nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve në raft për konsumatorin dhe se efektet në buxhet do të ishin negative.

Miratohet Agjencia e re në drejtësi

I vetmi projektligj që u miratua ishte ai i prezantuar nga Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”. Ky ligj i ri synon të forcojë kontrollin e brendshëm dhe integritetin në sistemin e burgjeve, duke i dhënë Agjencisë kompetenca më të qarta ligjore dhe mbikëqyrëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme