Formimi i qeverisë së re në Kosovë, Kallas: Lajm inkurajues, të veprohet me shpejtësi në zbatimin e reformave

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka cilësuar formimin e qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim inkurajues, pas më shumë se një viti bllokade politike në vend.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social “X”, Kallas ka uruar kryeministrin Albin Kurti për marrjen e detyrës, duke theksuar rëndësinë e veprimeve të shpejta në zbatimin e reformave.
“Pas më shumë se një viti bllokade politike, formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm inkurajues. Urime Albin Kurtit. Ajo që ka rëndësi tani është që të veprohet me shpejtësi në zbatimin e reformave. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra milionë euro dhe për të shënuar përparim në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar ajo.
Kallas ka theksuar se ky moment përfaqëson një mundësi të re për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, si dhe për të shtyrë përpara dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu gatishmërinë për të pritur së shpejti një takim të nivelit të lartë, në funksion të thellimit të bashkëpunimit dhe progresit në proceset kyçe.
Kuvendi i Kosovës ka votuar qeverinë e re të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim.
“Urime, pas zgjedhjes së Qeverisë, anëtarët e Qeverisë e japin betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës” , tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Kurti prezantoi një ditë më parë kabinetin e ri qeveritar për katër vitet e ardhshme, duke paraqitur përbërjen dhe prioritetet e ekzekutivit të ri. Me këtë votim, qeveria e re e Kosovës nis zyrtarisht mandatin e saj.
Në përbërje të qeverisë së re ka emra të rinj, por edhe ministra që kanë qenë pjesë e qeverive të mëparshme të drejtuara nga Kurti.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti tha se do të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes dialogut konstrukti, ndërsa përmendi dhe progresin e vendit në ndërtimin e një Kosove më e drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




