Banorët e Durrësit dhe të Rrjollit protestë para Kuvendit
Banorë të Durrësit, që preken nga projekti TID në zonën historike të qytetit bregdetar dhe banorë të fshatit Rrjoll të Velipojës i kanë zhvendosur protestat e tyre para Kuvendit.
Dhjetëra banorë të Durrësit protestojnë kundër shpronësimeve, teksa vlerën e dëmshpërblimit të ofruar nga Bashkia e konsiderojnë të ulët.
Me 10 shkurt Bashkia Durrës i dërgoi një projektvendim Këshillit Bashkiak, për të miratuar një bonus qiraje për banorët që preken nga projekti “TID”, kërkesë që u kundërshtua me forcë nga pronarët e banesave dhe bizneseve.
Sipas banorëve, akordimi i bonusit të qirasë është i papranueshëm për ta. Për shkak të rezistencës së qytetarëve, këshilltarët opozitarë braktisën sallën e mbledhjes dhe projektvendimi për bonuset e qirave u shty për në mbledhjen e radhës.
Banorët e fshatit Rrjoll vijojnë protestat kundër resortit turistik që parashikohet të realizohet në zonën bregdetare mes Ranës së Hedhun dhe Baks-Rrjollit.
Banorët kundërshtojnë projektin, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Projekti turistik në këtë zonë parashikon ndërtimin e strukturave akomoduese dhe vilave turistike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



