GJKKO “godet” grupin e rrezikshëm, 4 dënime me nga 35 vite burg për sulmin me armë ndaj Policisë në Kukës dhe trafikun e klandestinëve

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimit e Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin përfundimtar për 7 anëtarët e një grupi të strukturuar kriminal, të akuzuar për vepra të rënda penale, përfshirë tentativën e vrasjes së punonjësve të policisë dhe trafikun e armëve.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Etleva Deda dhe Bib Ndreca, ka dhënë dënime maksimale për krerët e këtij grupi, duke i dënuar katër prej tyre me nga 35 vite burgim secili.
Dënimet e rënda për sulmin ndaj uniformave blu
Sipas vendimit, të pandehurit janë shpallur fajtorë për një sërë ngjarjesh të rënda, ku spikat sulmi me armë ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit (shtetasve me iniciale A.L, J.Q, G.C, G.P, A.Sh) dhe tentativat për vrasje të shtetasve të tjerë.
Gjykata vendosi dënimet si më poshtë:
Sultan Grimash (alias Sadaak Guremache/Junes Alma) dënohet me 35 vite burgim. Ai akuzohet për vrasje të punonjësve të policisë (mbetur në tentativë) në disa raste, vrasje me dashje (në tentativë), trafik armësh, ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri dhe grup i strukturuar kriminal.
Ayoub Bahhoo, u dënua me 35 vite burgim. Ai akuzohet për vrasjen e punonjësve të policisë (në tentativë), vrasje me dashje (në tentativë), trafik armësh dhe grup i strukturuar kriminal.
Muhammed Radën (alias Radouë/Radvan) u dënua me 35 vite burgim. Ai akuzohet për vrasjen e punonjësve të policisë (në tentativë), trafik armësh dhe grup i strukturuar kriminal.
Muhammed Shehab (alias Al Uthman/Outman) u dënua me 35 vite burgim. Ai akuzohet për vrasje të punonjësve të policisë (në tentativë), prodhim dhe mbajtje armësh, dhe grup i strukturuar kriminal.
Anëtarët e tjerë të grupit
Përveç katër të dënuarve kryesorë, GJKKO dha dënime me burg edhe për tre bashkëpunëtorët e tjerë, të përfshirë kryesisht në ndihmën për kalim të paligjshëm të kufirit dhe mbajtje armësh:
Muhammed Nasir (alias Nouh Graie): Dënohet me 12 vite burgim.
Rabi Lqadi (alias El-Kadi): Dënohet me 8 vite burgim.
Nagid Alabdalah (alias Abu Gira): Dënohet me 8 vite burgim.
Detaje nga vendimi
Të gjithë të pandehurit do ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e telefonave celularë të përdorur nga grupi dhe asgjësimin e provave materiale të tjera (veshje, sende personale).
Vlen të theksohet se gjykata i shpalli të pafajshëm të pandehurit vetëm për akuzën specifike të “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” (për veten e tyre), duke argumentuar se fakti nuk përbën vepër penale në rrethanat e gjykuara, por i dënoi rëndë për trafikimin e qenieve njerëzore dhe aktet e dhunshme.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve.
“Ushtarë” të trafikut ndërkombëtar, si funksiononin dy grupet e armatosura që terrorizuan kufirin në Morinë
Dënimet maksimale të dhëna nga GJKKO për shtatë shtetasit e huaj nuk ishin të rastësishme. Dosja hetimore, e ndërtuar në bashkëpunim të ngushtë mes SPAK dhe Policisë së Shtetit, ka zbardhur anatominë e një rrjeti kriminal ndërkombëtar me rrezikshmëri të lartë, i cili gjatë vitit 2023 e kishte kthyer kufirin e gjelbër Morinë-Prizren në një zonë të “nxehtë” trafiku dhe shkëmbimi zjarri.
Hetimet kanë provuar se nuk bëhej fjalë për emigrantë të dëshpëruar, por për dy grupe kriminale të mirëorganizuara, të armatosura dhe me role të përcaktuara qartë, të cilat shërbenin si hallka kyçe në zinxhirin e trafikut nga Lindja e Mesme drejt Bashkimit Evropian.
Struktura, dy grupe, një qëllim
Hetimi ka evidentuar ndarjen e të pandehurve në dy formacione të strukturuara që operonin në terren:
Grupi i parë drejtohej nga Muhamed Shehab dhe kishte në përbërje anëtarët Muhammed Nasir dhe Nagid Alabdalah.
Grupi i dytë, më i madh në numër, drejtohej nga Sultan Grimash (i dënuar me 35 vjet burg) dhe përbëhej nga Muhammed Radawn, Ayoub Bahhoo dhe Rabi Lqadi.
Të dyja grupet bashkëpunonin me persona të tjerë ende të paidentifikuar, duke krijuar një infrastrukturë të fortë logjistike.
Kamuflimi si emigrantë që nga viti 2019
Një nga detajet më interesante të hetimit është aftësia e këtyre individëve për t’u fshehur mes turmës. Të pandehurit rezultojnë të kenë hyrë në Shqipëri të paktën që nga viti 2019. Sa herë që kapeshin nga autoritetet shqiptare, ata prezantoheshin si emigrantë të thjeshtë, duke dhënë gjeneralitete të rreme për të shmangur identifikimin si organizatorë.
Edhe pse dërgoheshin në kampe pritjeje apo merrnin urdhra largimi, ata arratiseshin dhe riktheheshin sërish në zonën kufitare mes Morinës dhe Kosovës, duke e njohur terrenin me detaje.
Skema ndërkombëtare, nga Turqia në Gjermani
Aktiviteti i tyre nuk ishte lokal. Këta individë ishin “përcjellësit” e besuar të një rrjeti gjigant. Emigrantët që hynin nga Greqia apo Maqedonia e Veriut, merreshin në dorëzim nga këto grupe në territorin shqiptar.
Roli i tyre ishte sigurimi i transportit brenda Shqipërisë, gjetja e shoferëve dhe guida fizike për kalimin e paligjshëm nga mali në Morinë drejt Prizrenit (Kosovë).
Pas Kosovës, emigrantët dërgoheshin drejt Serbisë dhe më pas në vendet e BE-së (kryesisht Gjermani), ku transporti organizohej nga celula të tjera të rrjetit.
Përplasja me policinë
Ndryshe nga trafikantët e zakonshëm, ky grup shquhej për dhunë dhe përdorimin e armëve luftarake. Ata mbanin armë vazhdimisht me vete për të mbrojtur “mallin” (emigrantët) ose për t’iu rezistuar autoriteteve.
Kulmi i aktivitetit të tyre kriminal u shënuan më 25 maj 2023. Në fshatin Morinë të Kukësit, teksa strukturat vendore të policisë po monitoronin zonën për kapjen e personave të armatosur, anëtarët e grupit hapën zjarr pa paralajmërim. Sulmi rrezikoi seriozisht jetën e efektivëve dhe banorëve të zonës, një akt që çoi në mobilizimin e forcave speciale dhe më pas në arrestimin dhe dënimin e tyre shembullor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



