Ministri Salla vizitë zyrtare në Athinë, takim me Rektorin e Universitetit Bujqësor

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit në një takim nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Athinës, prof. Spyridon Kintziosis, një prej institucioneve më prestigjioze në rajon në fushën e arsimit dhe kërkimit bujqësor.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit akademik dhe kërkimor mes institucioneve, me synim ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme që lidhin arsimin universitar me zhvillimin praktik të sektorit bujqësor.
“Biseduam për krijimin e urave konkrete mes dy universiteteve përmes shkëmbimit të përvojave akademike, programeve të përbashkëta dhe thellimit të kërkimit shkencor,” theksoi ministri.
Gjatë vizitës, Ministri Salla u njoh nga afër me infrastrukturën dhe kapacitetet kërkimore të universitetit, përfshirë laboratorët modernë dhe fermat eksperimentale, të cilat përbëjnë një model të integrimit të teorisë me praktikën dhe e bëjnë këtë institucion një pikë referimi në rajon.
Sipas tij, ky bashkëpunim hap perspektiva të reja për studentët, pedagogët dhe për zhvillimin e sektorit bujqësor në tërësi, duke forcuar lidhjen mes dijes akademike dhe nevojave reale të prodhimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




