Andis Salla nis në Athinë vizitën e parë zyrtare si Ministër i Bujqësisë

Politikë | 9 muaj më parë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Athinë, me synim forcimin e bashkëpunimit bujqësor mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në një intervistë për gazetën Ta Nea, ministri thekson se kjo vizitë vjen në një moment kyç, kur Shqipëria po hedh bazat për integrimin e sektorit bujqësor në tregun e përbashkët europian, ndërsa Greqia po përpunon përvojën e saj nga krizat e fundit në këtë sektor.

Vizita tre-ditore (12–14 shkurt) ka tre objektiva themelorë, rritjen e volumit të shkëmbimeve tregtare dypalëshe; thellimin e bashkëpunimit institucional për përafrimin me politikat dhe rregulloret e BE-së; si dhe përfitimin nga ekspertiza greke në zbatimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore.

Gjatë ditës së parë, Salla zhvilloi takime me përfaqësues të diasporës shqiptare, komunitetin e biznesit dhe pati një takim me Rektorin e Universitetit Bujqësor të Athinës.

Sot, në orën 11:00, ai zhvillon një takim dypalësh në Ministrinë greke të Zhvillimit Rural dhe Ushqimit me homologun e tij, Konstantinos Tsiaras.

Më pas, në Parlamentin grek, ai takohet me kryetaren e Komisionit të Përhershëm të Prodhimit dhe Tregtisë, Fotini Arabatzi.

Agjenda vijon me një takim në Ministrinë e Jashtme greke me zëvendësministrin Haris Theoharis, përgjegjës për Diplomacinë Ekonomike, si dhe me një vizitë në Dhomën Tregtare të Profesionistëve të Athinës, ku do të takohet me presidentin e saj, Jannis Hatzitheodosiou.

Në intervistën për Ta Nea, Salla thekson se marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të zhvillohen mbi baza pozitive, duke u mbështetur në interesat strategjike të përbashkëta, bashkëpunimin në kuadër të NATO dhe perspektivën europiane.

Ai ndalet veçanërisht te sfidat e përbashkëta që lidhen me ndryshimet klimatike: thatësirat, valët e të nxehtit, presioni mbi burimet ujore, zjarret, erozioni dhe përhapja e sëmundjeve në bujqësi. Sipas tij, afërsia gjeografike dhe ngjashmëritë klimatike mes dy vendeve krijojnë mundësi për zhvillimin e zgjidhjeve të përbashkëta në menaxhimin e ujërave, bujqësinë inteligjente ndaj klimës, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe biosigurinë.

Vizita do të përmbyllet me një drekë pune me përfaqësues të sektorit bujqësor dhe agro-biznesit grek. Megjithatë, bashkëpunimi me palën greke pritet të vazhdojë, pasi Tirana synon mbështetjen e Athinës për përmbylljen e negociatave me BE-në brenda afateve të përcaktuara, me fokus në tre kapitujt që lidhen drejtpërdrejt me portofolin e bujqësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme