Kategoria e Parë, Skënderbeu-Apolonia dhe Pogradeci-Burreli në RTSH

Kampionati i Kategorisë së Parë vjen këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 22-të. Tre takimet e para zhvillohen të shtunën në orën 13:30, ndërsa më pas Skënderbeu do të presë Apoloninë në shtëpi, me ndeshjen e programuar për orën 16:30.
Korçarët synojnë fitoren pas barazimit në përballjen e fundit me Korabin. Çdo pikë është thelbësore në këtë moment, pasi Laçi, i vendit të dytë, ka ngushtuar diferencën në vetëm tre pikë nga kryesuesit. Bardhezinjtë e Laçit do të presin Besën në shtëpi, teksa po kalojnë një moment të shkëlqyer me shtatë fitore radhazi.
Në të njëjtën ditë, AF Luftëtari përballet me Kastriotin, ndërsa Kukësi pret Korabin në shtëpi.
Të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së 22-të, në orën 13:30. Iliria luan ndaj Lushnjes në stadiumin “Redi Maloku”, ndërsa Pogradeci, i vendit të tretë, pret Burrelin në shtëpi, me synimin për t’’u rikthyer te fitorja pas barazimit në javën e fundit me Apoloninë.
Ndeshjet Skënderbeu-Apolonia dhe Pogradeci-Burreli do të transmetohen drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




