Gjyqi ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së, Gjikondi: Mbrojtja duhet të kishte përfshirë edhe dëshmitarë nga Kosova e Shqipëria
Prokuroria në Hagë ka kërkuar 180 vite burg në total për katër ish-krerët e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, ndërsa procesi gjyqësor vijon të ngjallë reagime dhe debat.
Avokatja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “3D”, kritikoi mënyrën se si është organizuar mbrojtja, duke theksuar “se ka munguar koordinimi i faktorit shqiptar në mbështetje të të akuzuarve“. Sipas saj, reagimet institucionale kanë qenë të vonuara dhe pa një strategji të qartë të përbashkët.
Sipas Gjikondit, mbrojtja duhet të kishte përfshirë edhe dëshmitarë të spikatur nga Kosova dhe Shqipëria, dhe jo të fokusohej kryesisht tek personalitetet ndërkombëtare. Ajo e cilësoi procesin si një gjyq me prapavijë politike, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën se si po zhvillohet çështja.
“Mendoj që problemi më i madh është se nuk ka një koordinim të faktorit shqiptar në mbrojtje të katër personaliteteve që janë në Hagë. Rezolutat më duken shumë të vonuara. Të shikosh edhe shtatë personalitetet e fuqishme që ishin pro Thaçit, përfaqësues të NATO-s, të SHBA-së dhe të Anglisë, që ishin në krah të tij, mënyra se si foli prokurori e zhbëri dëshminë e tyre, e vuri në dyshim. Në të gjithë sentencën e prokurorit nuk u dha asnjëherë informacion pse ata nuk kishin dijeni se çfarë bëhej në Kosovë.
Mendoj që edhe mbrojtja e katër personaliteteve që janë në Hagë duhet të kishte përfshirë dëshmitarë të spikatur nga Kosova dhe Shqipëria, çka nuk është bërë dhe nuk është çmuar nga avokatët e tyre për t’u bërë. Janë fokusuar më shumë tek personalitetet ndërkombëtare. Është një gjyq politik, për të mos thënë edhe diskriminues”, tha Gjikondi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




