SHBA vazhdon sulmet ajrore kundër ISIS-it në Siri, ndërsa transferon mijëra të dyshuar në Irak

Ushtria amerikane ka bërë të ditur se forcat e saj kanë goditur mbi 30 objektiva të ISIS (Daesh) në Siri gjatë këtij muaji, duke ruajtur presionin mbi ekstremistët pas sulmit të dhjetorit që vrau dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil.
Sipas Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), mes datave 3 dhe 12 shkurt janë kryer 10 sulme ajrore kundër infrastrukturës dhe depove të armëve të ISIS, ndërsa nga 27 janari deri më 2 shkurt janë realizuar edhe pesë goditje të tjera ndaj një qendre komunikimi, nyje logjistike dhe objekteve të ruajtjes së armëve.
Operacioni “Hawkeye Strike” u nis si përgjigje ndaj sulmit në Palmyra më 13 dhjetor, ku një luftëtar i ISIS, i identifikuar nga autoritetet siriane si pjesëtar i forcave të sigurisë që pritej të shkarkohej për ekstremizëm, vrau tre persona nga kontingjenti amerikan.
Në dy muajt e fundit, mbi 50 militantë të ISIS janë vrarë ose kapur, ndërsa mbi 100 objektiva infrastrukturore janë goditur me qindra municione precize, sipas njoftimit të CENTCOM.
Paralelisht, SHBA ka përfunduar transferimin e më shumë se 5,700 të dyshuarve të ISIS nga Siria në Irak.
Të burgosurit, të ardhur nga 61 vende, ishin mbajtur prej vitesh në burgje të administruara nga forcat kurde. Ky operacion filloi muajin e kaluar, pasi trupat e Damaskut morën nën kontroll zonat përreth burgjeve, duke ngritur pikëpyetje mbi fatin e të burgosurve.
Koalicioni i udhëhequr nga SHBA dhe Forcat Demokratike Siriane (SDF) kishin luajtur rol kyç në mposhtjen territoriale të ISIS në vitin 2019.
Megjithatë, Uashingtoni ka sinjalizuar se aleanca me forcat kurde është drejt përfundimit, ndërsa Damasku po përpiqet të shtrijë kontrollin në gjithë territorin sirian.
Në këtë kuadër, të enjten SHBA konfirmoi tërheqjen e trupave nga baza e Al-Tanf, pranë kufirit me Jordaninë dhe Irakun, duke reflektuar ndryshimet në strategjinë e saj rajonale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




