Rama vizitë në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani. Liderët riafirmojnë partneritetin strategjik dhe vëllazëror

Kosovë | 9 muaj më parë

Kryeministri i Shqipëria, Edi Rama, ka mbërritur në Kosovë dhe është pritur nga presidentja Vjosa Osmani, me të cilën ka zhvilluar një takim kokë më kokë.

Në takim u diskutua mbi marrëdhëniet ndërshtetërore dhe zhvillimet rajonale. Në fokus të takimit ishte koordinimi politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, me qëllim avancimin e interesave strategjike të përbashkëta.

“Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dy shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin. Diskutimet përfshinë edhe bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, ku u theksua rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale për dialog, siguri dhe vlera demokratike. Kosova dhe Shqipëria u nderuan me ftesën nga Presidenti Donald Trump për të marrë pjesë në këtë Bord, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, u riafirmua vullneti për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve.

Presidentja Osmani gjithashtu përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar si një dëshmi të angazhimit evropian dhe një faktor që forcon perspektivën rajonale.

Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama e uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike të saj.

Rama po zhvillon një vizitë pune në Prishtinë, ku janë planifikuar një seri takimesh dhe aktivitetesh zyrtare. Ai pritet të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në kuadër të axhendës së tij, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala. Gjithashtu, ai do të mbajë një leksion të hapur me studentët e Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e Gjimnazi Sami Frashëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme