Gjyqi në Hagë, avokatët mbrojtës: Nuk ka asnjë provë që lidh Jakup Krasniqin me krimet e pretenduara

Në Hagë, sot përfundon faza e mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku avokatët mbrojtës kanë argumentuar se nuk ekziston asnjë provë që lidh Jakup Krasniqin me krimet e pretenduara.
Avokati kryesor i mbrojtjes, Aiden Ellis, deklaroi se “ka prova që disa anëtarë të Policisë Ushtarake kanë ushtruar dhunë ndaj personave të ndaluar, por kjo nuk është provë që zoti Krasniqi ka luajtur rol në këto shkelje ose ka pasur kontribut të konsiderueshëm në kryerjen e krimeve. Thjesht prania e tij nuk mund të konsiderohet provë për një lidhje të tillë”.
Avokati i dytë i mbrojtjes, Mentor Beqiri, kritikoi gjithashtu kërkesën e Prokurorisë për 45 vite burg për secilin prej katër të akuzuarve, duke e krahasuar me dënimet ndaj udhëheqësve serbë, të cilët kanë marrë mes 15 dhe 22 vite burgim.
“Është e habitshme që kërkohet një dënim dyfish më i lartë se ndaj liderëve serbë”, tha Beqiri.
Ai shtoi se nga analiza e provave del se pretendimi i Prokurorisë që Krasniqi dhe të tjerët kishin një qëllim të përbashkët për të marrë kontroll mbi Kosovën përmes krimeve, nuk qëndron.
Sipas mbrojtjes, UÇK-ja u krijua si një lëvizje mbrojtëse kundër dhunës dhe shtypjes serbe, dhe jo si një organizatë për marrjen e pushtetit.
Më herët Prokuroria e Hagës ka kërkuar 180 vite burg në total për 4 ish-krerët e UÇK-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




