Europa League në RTSH: Celtic, në provën e parë me Shtutgartin

UEFA Europa League | 9 muaj më parë

Europa League nis fazën me eliminim direkt dhe takimi që do të vijë direkt nëpërmjet ekranit të Radio Televizionit Shqiptar të enjten në orën 21:00 është ai midis Celtic Glasgow dhe Shtutgart. Janë dy skuadra që nuk hynë në tetëshen e parë në këtë kompeticion, por aktualisht gëzojnë formë të mirë në kampionatet e tyre.

Celtic dhe Shtutgart do të ndeshen të enjten në mbrëmje në Glasgou për play-offin e Europa League, takim që do të vijë për teleshikuesit shqiptarë nëpërmjet ekranit të RTSH. Të dyja skuadrat nuk arritën të futeshin në tetëshen e parë pas përfundimit të fazës së grupit, megjithatë secila është në formë të mirë në kampionatet respektive çka premton për një përballje interesante të enjten.

Celtic e mbylli fazën e grupit në vendin e 21-të, me 11 pikë, pas tri fitoreve, dy barazimeve e tri humbjeve. Në kampionatin skocez, mban vendin e tretë, me 54 pikë, tri më pak se kryesuesi Hearts, por edhe me një ndeshje të luajtur më pak. Në fundjavë, Celtic fitoi 3-2 në fushën e Kilmarnokut.

Shtutgart, që fazën e grupit në Europa League e mbylli në vendin e 11-të me 15 pikë, me pesë fitore, tri humbje e asnjë barazim, renditet i katërti në Bundesligën gjermane dhe aktualisht është brenda objektivit për t’u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm.

Në javën e 22-të të Bundesligës, Shtutgart fitoi 2-1 me Këlnin dhe qëndron tri pikë poshtë Hofenheimit të vendit të tretë. Ndeshja e së enjtes do të jetë e treta midis tyre në histori. Secila arriti nga një fitore në të njëjtin kompeticioni në sezonin 2002-23, kur skocezët kaluan më tej me rezultatin e përgjithshëm 5-4.

Portieri Casper Schmeichel është pika më e fortë e Celtic, me 30 pritje në fazën e grupit, ndërkohë që mbrjjtësi i djathtë i Shtutgartit, Lorenz Assignon, është lojtari që ka shkaktuar më tepër faulla se kushdo tjetër.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme