Osmani takon Rubion në Washington, u diskutua forcimi i aleancës mes dy vendeve
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u prit nga Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio në Washington, ndërsa gjatë takimit u vlerësua roli dhe kontributi i saj dhe popullit të Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar,
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio pas takimit me presidenten Vjosa Osamani vlerësoi rolin dhe kontributin e saj dhe të popullit të Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Përmes një postimi në platformën X, Rubio bëri të ditur se e ka falënderuar për përkushtimin e Kosovës si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
MARCO RUBIO, Sekretar amerikan i Shtetit shkruan, “U takova me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për përkushtimin ndaj paqes dhe stabilitetit, duke qenë anëtar themelues i Bordit të Paqes. Gjithashtu e falënderova presidenten Osmani për kontributin e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza”
Ndërkaq në njoftimin e Departamentit të Shtetit theksohet se Osmani është partnere e dedikuar e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara presin të punojnë me qeverinë e re të Kosovës për të ecur përpara me agjendën e përbashkët për paqe rajonale, stabilitet e përparim ekonomik.”- thuhet në njoftim.
Më herët për këtë takim shkroi edhe presidentja Osmani, e cila theksoi me Sekretarin e Shtetit diskutuan për mundësitë e forcimit të aleancës.
VJOSA OSMANI, Presidente e Kosovës, “ Në veçanti, e falënderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyç për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik.”
Takimi në Departamentin e Shtetit u zhvillua në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, ndersa Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




