Shqipëria dhe Bordi i Paqes, Rama flet për stabilizimin në Gaza dhe drejtësinë për Kosovën
Kryeministri Edi Rama në episodin e radhës gjatë podcastit të tij u shpreh për një sërë çështjesh që lidhen me pozicionin e Shqipërisë dhe gjendjen në rajon.
Rama theksoi se Shqipëria ndihet e nderuar që është pjesë e themeluesve të Bordit të Paqes, duke përmendur edhe angazhimin për stabilizimin në Gaza dhe kontributin e vendit në misionet ndërkombëtare të paqes.
Ai ngriti shqetësime të forta lidhur me procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish‑Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku prokurorët kanë kërkuar deri në 45 vjet burg për krime të luftës dhe kundër njerëzimit.
“Vizita në Washington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, po mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës.
Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot, pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare”, theksoi Rama.”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




