Basketboll meshkuj/ Besëlidhja fiton Kupën e Shqipërisë

Besëlidhja fitoi Kupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, zhvilluar në 70-vjetorin e kompeticionit. Në finale, lezhjanët ishin superiorë dhe mundën me meritë Tiranën. Ndërkohë, u nderuan me çmime disa figura të basketbollit shqiptar.
Besëlidhja fitoi Kupën e Shqipërisë, duke mundur në finale Tiranën 104-65. Një fitore e madhe dhe e merituar e Besëlidhjes në përvjetorin e 70-të të kompeticionit. Në finale u ndeshën skuadrat që mbajnë vendin e parë dhe të tretë në kampionat. Besëlidhja, kryesuese e kampionatit, eliminoi në gjysmëfinale Teutën, ndërsa Tirana mundi Kamzën në shtunën pas kohës shtesë, çka pati ndikim fizikisht te bardheblutë në finale.
Në minutat e para, duke ditur impenjimin fizik të Tiranës vetëm një ditë më parë, Besëlidhja bëri ndryshime të shpeshta për të qenë e freskët karshi kundërshtarit më të kufizuar në rotacion. Lezhjanët e nisën me mbrojtje një për një e më pas kaluan në zonle duke i vështirësuar Tiranës konkludimin në gjuajtjet për tri pikë.
Pas startit të ekuilibruar, Besëlidhja shkon në 20-11, ndërkohë që mbyll periodën e dytë 40-16, duke e çuar rezultatin e gjysmës së lojës në 55 me 27.
Me këtë rezultat, Tirana dorëzohet teknikisht e fizikisht, ndërkohë që shfaqet edhe tepër nervoze. Superioriteti i lezhjanëve ishte i dukshëm edhe në periodën e tretë, në përfundim të së cilës shifrat shkuan 83-45. Në këto kushte, perioda e katërt ishte thjesht një formalitet që duhej kryer, pasi Besëlidhja ishte fituese e padiskutueshme e një finaleje pa histori.
Lezhjanët e mbyllën ndeshjen me 39 pikë diferencë, 104-65, duke bërë të tyrin trofeun e madh.
Ndërkohë, në pushimin midis pjesëve, me rastin e 70-vjetorit të Kupës së Shqipërisë u nderuan disa figura të shquara të basketbollit shqiptar, si Astrit Greva, Muhamet Përmeti, Vaso Shaka dhe Dhimitër Kacorri, për këtë të fundit çmimi u tërhoq nga Mikel Serbo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




