Balla në Bruksel me Raporterin për Shqipërinë: Negociatat mbyllen në 2027, ritmi nuk ndalet

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri (SAPC), Taulant Balla zhvilloi në Bruksel një takim me Raportuesin për Shqipërinë, Andreas Schieder.
Gjatë takimit, Balla falënderoi eurodeputetin Schieder për Draft-Rezolutën e publikuar nga Parlamenti Europian dhe për vlerësimin pozitiv të shprehur ndaj progresit të Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Në fokus të diskutimit ishte ecuria e negociatave të anëtarësimit dhe objektivi strategjik për përmbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027. Balla rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për të ruajtur ritmin e deritanishëm, duke theksuar hapjen e të gjithë grupkapitujve në kohë rekord gjatë vitit të kaluar dhe gatishmërinë për të avancuar drejt mbylljes së kapitujve sapo të përmbushen kushtet përkatëse.
Në këtë kuadër, u vlerësua roli i Parlamentit Europian dhe i raportit vjetor për Shqipërinë si instrument orientues për thellimin e reformave, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, forcimit të institucioneve demokratike, luftës kundër korrupsionit dhe harmonizimit me acquis të BE-së.
Balla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian dhe për angazhimin personal të raporterit Schieder në ndjekjen e progresit të Shqipërisë, duke theksuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet dy parlamenteve mbetet thelbësor për një proces transparent dhe të bazuar në legjitimitet demokratik.
Në cilësinë e Bashkëkryetarit të SAPC, ai nënvizoi rëndësinë e dialogut të strukturuar parlamentar BE–Shqipëri dhe konfirmoi gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit në takimet e ardhshme në Strasburg.
Palët riafirmuan se zgjerimi i BE-së është faktor kyç për sigurinë dhe stabilitetin europian, ndërsa u theksua edhe përputhshmëria e plotë e Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të të Bashkimit Europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




