Spanja nuk lejoi përdorimin e bazave të saj ushtarake në sulmin ndaj Iranit, Izraeli: Je në anën e gabuar të historisë

Botë | 8 muaj më parë

Izraeli ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë së Spanja për të mos lejuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përdorin bazat ushtarake në territorin spanjoll për sulme kundër Iranit.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, akuzoi kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez se po qëndron në “anën e gabuar të historisë”, pas refuzimit për t’i dhënë leje SHBA-së të përdorë bazat e përbashkëta në Rota dhe Morón për operacionet ushtarake.

Sánchez ka dënuar “veprimin ushtarak unilateral” të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke paralajmëruar se ndërhyrja po kontribuon në krijimin e “një rendi ndërkombëtar më armiqësor dhe të pasigurt”. Ai theksoi se është e mundur të jesh kundër regjimit iranian dhe njëkohësisht kundër një ndërhyrjeje ushtarake që, sipas tij, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Në një postim në rrjetin social X, Sa’ar deklaroi se organizata si Hamasi, Huthitët dhe Irani kanë falënderuar Sánchezin për qëndrimet e tij, duke vënë në pikëpyetje pretendimin e tij për të qenë në “anën e duhur” të historisë.

Ndërkohë, senatori republikan amerikan Lindsey Graham kritikoi ashpër qeverinë spanjolle, duke e cilësuar atë si shembull të “një lidershipi evropian të dobët” dhe duke e akuzuar për mungesë qartësie morale ndaj regjimit iranian.

Të shtunën, Sánchez deklaroi se ofensiva e udhëhequr nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu po e bën botën më pak të qëndrueshme dhe bëri thirrje për një zgjidhje politike dhe të qëndrueshme të konfliktit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme