Tirana qendër rajonale/ Shqipëria dhe Berlini nënshkruajnë marrëveshje për inovacionin e zhvillimit teknologjik

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në kryeqytetin gjerman ku nënshkroi Deklaratën e Përbashkët të Qëllimit me Kryetaren e Bashkisë së Berlinit dhe Senatore për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike, Franziska Giffey.
Deklarata vendos një kuadër të ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Berlinit, duke synuar forcimin e ekosistemeve të inovacionit dhe sipërmarrjes, mbështetjen e startup-eve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve.
Ministrja Ibrahimaj e cilësoi këtë hap si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë: “Nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët të Qëllimit përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Berlinit, si dhe në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në hapësirën europiane të inovacionit dhe kërkimit shkencor.”
Bashkëpunimi i parashikuar përfshin shkëmbimin e eksperiencave mbi politikat për startup-et, instrumentet financiare dhe krijimin e qendrave të inovacionit, si dhe mbështetjen e sipërmarrjes së të rinjve dhe grave.
Gjithashtu, do të organizohen vizita të strukturuara B2B dhe B2I, pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare dhe krijimi i urave të bashkëpunimit mes startup-eve shqiptare dhe ekosistemit të Berlinit.
Një tjetër element i rëndësishëm i marrëveshjes është mbështetja për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, përmes zhvillimit të projekteve të përbashkëta dhe aplikimeve për financime në programet e Bashkimit Europian, si Horizon Europe, Digital Europe Programme dhe instrumentet e European Institute of Innovation and Technology.
Ky bashkëpunim zhvillohet në kuadër të iniciativës Ecosystem Connectors Berlin – Sarajevo – Tirana, e cila synon të pozicionojë Tiranën si një qendër rajonale në zhvillim për inovacionin dhe teknologjinë.
Me këtë marrëveshje, Shqipëria synon të forcojë rolin e saj në rajon si një pikë referimi për startup-et, teknologjinë dhe sipërmarrjen, duke hapur rrugën për integrim më të shpejtë në hapësirën europiane të inovacionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




