Lëkundje tërmeti në Itali, epiqendra pranë Sicilisë

Europë | 8 muaj më parë

Një tërmet i fortë me magnitudë 4.5 goditi mëngjesin e sotëm në zonën e Catanias, duke u ndjerë qartë edhe në provincat e Mesinës dhe Sirakuzës.

Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), epiqendra u regjistrua në malin Etna, në veriperëndim të Ragalnës, në një thellësi prej rreth 3.8 kilometrash.

Lëkundja u ndje rreth orës 7:05 dhe shkaktoi panik mes banorëve, por deri tani nuk ka raportime për dëme materiale apo persona të lënduar.

Drejtoria e Përgjithshme Rajonale e Mbrojtjes Civile ka urdhëruar aktivizimin e menjëhershëm të monitorimit përmes shërbimeve të emergjencës, me qëllim verifikimin e çdo situate kritike në komunat ku u ndje tërmeti.

Si masë paraprake, kryetari i bashkisë së Catanias, Enrico Trantino, njoftoi mbylljen e shkollave për të lejuar inspektimet e ndërtesave. Vendim i ngjashëm është marrë edhe në disa komuna të tjera të provincës.

Aktualisht autoritetet po kryejnë kontrolle të hollësishme në zonat e prekura, ndërsa qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e mbrojtjes civile. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, por deri më tani nuk ka shenja të një emergjence më të madhe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme