“Mbikëqyrje parlamentare e institucioneve të pavarura”, Xhafaj: E kërkon edhe Parlamenti Europian

“Mbikëqyrja parlamentare ndaj institucioneve të pavarura duhet të forcohet”, kështu deklaroi kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, gjatë diskutimeve të zhvilluara në komision, duke argumentuar këtë qëndrim me raportin e eurodeputetëve, i cili nënvizon rëndësinë e forcimit të mekanizmave mbikëqyrës.
“Në disa paragrafë të këtij raporti nënvizohet rëndësia e mbikëqyrjes parlamentare. Raporti inkurajon forcimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, rritjen e transparencës dhe konsultimin më domethënës me organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë dhe institucionet e pavarura”, u shpreh Xhafaj.
Gjatë fjalës së tij, Xhafa prezantoi edhe disa nga gjetjet e një trajnimi mbi forcimin e mbikëqyrjes parlamentare, duke theksuar nevojën për përmirësim të praktikave ekzistuese.
Ndërkohë, deputeti socialist Ermal Elezi, anëtar i komisionit, u shpreh se “një mbikëqyrje efektive kërkon jo vetëm shqyrtimin e raporteve, por edhe formulimin e rekomandimeve konkrete dhe ndjekjen në vijim të zbatimit të tyre”.
Sipas Elezit, institucionet e pavarura funksionojnë si një mekanizëm i specializuar përmes të cilit Kuvendi siguron informacion të pavarur dhe analiza profesionale mbi çështje të caktuara sektoriale, duke forcuar kështu rolin e tij mbikëqyrës.
Gazetare: Rugova Dushnica
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




