Infiltrimi i krimit në ekonominë formale, BE kërkon masa të ashpra parandaluese përtej ndjekjes penale

Krimi i organizuar mbetet një kërcënim thelbësor për integritetin ekonomik dhe administratën publike në Shqipëri, duke gërryer në mënyrë të vazhdueshme besimin e qytetarëve tek institucionet shtetërore. Për të përballuar këtë sfidë komplekse, partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët apelojnë për një ndryshim strategjie: paralelisht me ndjekjen penale, theksi duhet të zhvendoset te masat parandaluese dhe bllokimi i depërtimit të parave të paligjshme në bizneset formale.
Kjo ishte kryefjala e një tryeze të rrumbullakët të zhvilluar së fundmi në kryeqytet, e cila bëri bashkë përfaqësues të partive politike, studiues të fushës, anëtarë të komunitetit diplomatik dhe aktorë të shoqërisë civile. Diskutimet u përqendruan te domosdoshmëria e përdorimit sistematik të instrumenteve administrative për të ngritur barriera mbrojtëse rreth tregut të lirë.
Sanksionet dhe tenderët publikë në lupë
Pjesëmarrësit në tryezë argumentuan se drejtësia penale e vetme nuk mjafton për të çmontuar rrjetet kriminale, nëse këto të fundit lejohen të pastrojnë produktet e veprave penale përmes ekonomisë së ligjshme. Zgjidhja e propozuar konsiston në fuqizimin e institucioneve rregullatore dhe atyre të qeverisjes vendore.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij nënvizoi rëndësinë e këtyre mekanizmave jo vetëm si mjete për të mbrojtur ekonominë, por edhe si parakushte për të ardhmen evropian të vendit.
“Bllokimi i aksesit të krimit në ekonominë e ligjshme forcon përpjekjet tradicionale për të luftuar krimin e organizuar,” deklaroi Ambasadori Gonzato. Ai theksoi se institucionet shqiptare kanë në dorë mjete konkrete për të vepruar, ende pa pritur fjalën e gjykatave.
“Duke përdorur mjete si heqja e licencave, verifikimi i pjesëmarrjes në tenderë publikë dhe sanksionet bashkiake, autoritetet krijojnë barriera që i pengojnë kriminelët të depërtojnë në bizneset e ligjshme,” detajoi kryediplomati evropian.

Integrimi varet nga pastërtia e ekonomisë
Mesazhi i dhënë nga komuniteti ndërkombëtar ishte i qartë: lufta ndaj krimit të organizuar nuk mund të konsiderohet e suksesshme nëse ekonomia mbetet e cenueshme nga kapitalet e pista.
“Kjo qasje efektive kundër krimit të organizuar është thelbësore për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në BE,” përfundoi Gonzato, duke e lidhur drejtpërdrejt efikasitetin e këtyre masave me ecurinë e negociatave të anëtarësimit.
Ekspertët pajtohen se zbatimi rigoroz i filtrave për tenderët publikë dhe licencat e biznesit është hapi i parë drejt ndërtimit të një mjedisi të sigurt ekonomik, i cili jo vetëm ruan konkurrencën e ndershme, por edhe kthen besimin e publikut te shteti i së drejtës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




