Drejtori i EBU tregon mesazhin që i dha Ramës: RTSH, jetike për demokracinë. Ka nevojë për mbështetjen financiare të qeverisë për t’u modernizuar
Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publikë (EBU), Noel Curran, theksoi rëndësinë e reformimit të RTSH dhe pasjes së një plani të qartë për të ardhmen, ndërsa shtoi se për këtë duhet edhe përkrahja e qeverisë nga pikëpamja e mbështetjes, si dhe nga çështjet e financimit.
Gjatë një interviste ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar me gazetaren Sonila Agostini, Drejtori i Përgjithshëm i EBU, Curran, foli për takimin që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama, ku në fokus ishte e ardhmja e transmetuesit publik.
Curran e cilësoi takimin me kryeministrin si pozitiv, ndërsa theksoi nevojën për financim dhe investime, veçanërisht në teknologji në televizionin publik. Ai theksoi se RTSH është ende larg standardeve teknologjike që kërkohen sot dhe se modernizimi i transmetuesit publik kërkon mbështetje financiare.
“Takimi me Kryeministrin ishte shumë pozitiv. Ai ishte shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë siç është përherë. E kam takuar edhe më parë. Shumë i drejtpërdrejtë në pikëpamjet e tij, gjë që unë e respektoj dhe e mirëpres. Kështu unë mendoj se mesazhi im për të ishte se RTSH është e gatshme të transformohet, RTSH po kërkon të transformohet dhe se EBU mbështet drejtimin e institucionit në këtë proces. Një tjetër çështje e rëndësishme, si pjesë e këtij rrugëtimi përpara është financimi. Nga pikëpamja teknologjike, RTSH është ende larg standardeve që kërkohen sot dhe modernizimi kërkon investime.
Ne nuk kërkojmë investime pa një plan të qartë. Menaxhmenti duhet të hartojë një plan për të ardhmen, por ky plan kërkon mbështetje nga qeveria, kërkon përkrahje nga pikëpamja e mbështetjes, si dhe nga çështjet e financimit. Ju keni një nga tarifat me të ulëta në Europë, si dhe iu nevojiten investime të mëdha në teknologji. Për këtë arsye, nëse ka një plan, qeveria duhet të mbështesë RTSH-në në zbatimin e këtij plani”, tha Curran.
Sipas tij, media e shërbimit publik është një element thelbësor për demokracinë dhe se dobësimi ose rënia e një transmetuesi publik krijon një perceptim negativ për një vend në arenën ndërkombëtare.
“Mesazhi tjetër është se media e shërbimit publik është e rëndësishme, njihet nga Bashkimi Europian si një pjesë jetike e demokracisë. Kështu që lënia e medias së shërbimit publik në rënie është një perceptim shumë negativ për një vend dhe që nuk mirëpritet nga jashtë”, tha Curran.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




