Drejtori i EBU: Përmbajtja cilësore është çelësi për të fituar audiencën në epokën digjitale. Keni bërë shumë për një kohë të shkurtër

Aktualitet | 8 muaj më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publikë (EBU), Noel Curran gjatë një interviste ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar me gazetaren Sonila Agostini, foli për mënyrën se si media publike mund të tërheq dhe të zgjerojnë audiencën në një kohë kur përballen me konkurrencën e rrjeteve sociale dhe teknologjisë moderne.

Sipas Curran, çelësi për të arritur një audiencë më të gjerë është përmbajtja cilësore. Ai theksoi se RTSH duhet të fokusohen te cilësia dhe larmia e përmbajtjes që ofrojnë programet, duke e përshtatur atë për audienca të ndryshme.

“Për mendimin tim, kapja e audiencës ka të bëjë e gjitha me përmbajtjen, duhet përmbajtja e duhur dhe më pas ka të bëjë se ku e merr audienca këtë përmbajtje dhe forma sesi e merr. Pra ka të bëjë me cilësinë e përmbajtjes, me gamën e përmbajtjes. Kur është fjala për lajmet, është përmbajtja dhe pavarësia e lajmeve. Kështu që, për mua është përmbajtja dhe sa e kënaqshme është kjo përmbajtje për audienca të ndryshme,  në mënyrat e ndryshme që ata i qasen përmbajtjes, por edhe në llojet e ndryshme të përmbajtjes”, u shpreh ai.

Curran nënvizoi gjithashtu edhe progresin që RTSH kishte bërë në programacion duke marrë një reagim shumë të mirë në një kohë të shkurtër.

“Ka të bëjë më tepër se me lajmet. Media e shërbimit publik ka të bëjë me programin tuaj që merr këtë reagim vërtet shumë të mirë në një periudhë kaq të shkurtër kohore, që është diçka shumë e mirë. Ka të bëjë me sportet. Është një gamë e gjerë. Ka të bëjë gjithashtu me programet që ju blini, sepse nuk mund t’i bëni të gjitha vetë. Kështu që juve iu duhet të blini disa programe, çka që është shumë e natyrshme. Pra, ka të bëjë me përmbajtjen, cila përmbajtje kënaq audiencën përkatëse, dhe në ç’forme e marrin këtë përmbajtje audiencat tuaja, duke qenë i pranishëm në çdo lloj forme për audiencat tuaja. Ky është çelësi”, tha ai.

Curran nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përdorimit të platformave dixhitale, duke theksuar se përmbajtja duhet të jetë e aksesueshme për publikun në forma të ndryshme, qoftë përmes telefonit, televizorit apo platformave të tjera online.

“Dhe më pas ka të bëjë me ju, sesi e përdorni ju botën dixhitale, si të keni përmbajtje të ndryshme për audienca të ndryshme, si i qasen ata përmbajtjes, qoftë në telefon, qoftë në aparat televiziv, cilado qoftë forma e marrjes/qasjes së përmbajtjes. Kështu që për mua forca shtytëse është së pari përmbajtja. Pa përmbajtje të mirë, edhe nëse ke sistemin më të mirë të shpërndarjes në botë, kjo nuk të çon askund”, u shpreh drejtori i EBU-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme