EBU skanon RTSH, ja mesazhi për Drejtoreshën e Përgjithshme të RTSH Eni Vasili
Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publikë (European Broadcasting Union- EBU), Noel Curran, ka shprehur mbështetjen për reformën që po zhvillohet në Radio Televizioni Shqiptar dhe për drejtimin e institucionit nga znj.Eni Vasili.
Në një intervistë gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Curran theksoi se mesazhi i parë që solli për drejtuesit e transmetuesit publik ishte mbështetja për drejtimin aktual të institucionit.
“Mesazhi i parë që iu solla të gjithëve ishte se ne e mbështesim plotësisht Drejtoreshën e Përgjithshme. Besojmë se ajo po bën një punë shumë të mirë dhe po vendos një drejtim të ri për institucionin, dhe ne duam ta mbështesim në këtë proces”, deklaroi ai.
Kreu i EBU-së tha se organizata europiane është e gatshme të ndihmojë RTSH-në në procesin e transformimit dhe në forcimin e rolit të medias publike.
“Mesazhi tjetër që sollëm ishte se jemi këtu për t’ju ndihmuar në këtë rrugëtim. Jemi këtu për t’ju ndihmuar në argumentimin e rolit tuaj, si në nivel kombëtar ashtu edhe në Bruksel, pasi marrëdhënia juaj me Bashkimin Europian është shumë e rëndësishme”, u shpreh Curran.
Ai shtoi se EBU do të ndihmojë edhe në hartimin e procesit të transformimit të institucionit.
“Jemi këtu për t’ju ndihmuar në hartimin e procesit të transformimit dhe në çdo mënyrë të mundshme. Ishte inkurajuese të shikoja një ndërgjegjësim për nevojën e ndryshimit dhe një linjëzim të mirë midis menaxhmentit dhe Këshillit drejtues”, tha ai.
Sipas Curran, EBU ka përgatitur edhe një raport për RTSH-në, i cili analizon situatën aktuale të institucionit dhe identifikon drejtimet kryesore për të ardhmen.
“Ne kemi përgatitur një raport ku analizohen pikat e forta dhe dobësitë e RTSH-së dhe ku paraqiten disa drejtime të mundshme për të ardhmen. Ky është fillimi i një procesi transformimi”, theksoi ai.
Në intervistë, drejtori i EBU-së ndaloi edhe te disa nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot transmetuesi publik shqiptar. Sipas tij, një nga sfidat më të mëdha është nevoja për ndryshim dhe përshtatje me zhvillimet teknologjike dhe tregun mediatik.
“Sfida që ju hasni është sfida që çdo media publike has dhe që është se duhet të ndryshoni. Shumë njerëz thonë se janë të hapur ndaj ndryshimit, por kur ndryshimi ndodh realisht, shpesh has qëndresë”, tha Curran.
Ai theksoi gjithashtu se RTSH përballet me nevojën për modernizim teknologjik dhe investime më të mëdha për të përmbushur standardet europiane.
“Nga pikëpamja teknologjike, RTSH është ende larg standardeve që kërkohen sot dhe modernizimi kërkon investime”, u shpreh ai.
Një tjetër çështje që ngriti drejtori i EBU-së lidhet me financimin e medias publike në Shqipëri.
“Ju keni një nga tarifat më të ulëta në Europë dhe iu nevojiten investime të mëdha në teknologji. Nëse ka një plan të qartë për të ardhmen, qeveria duhet të mbështesë RTSH-në në zbatimin e këtij plani”, deklaroi Curran.
Ai theksoi se media publike mbetet një element thelbësor për demokracinë, duke ofruar informacion të besueshëm dhe të pavarur për qytetarët, veçanërisht në një kohë kur mediat përballen me polarizim dhe ndikimin e madh të rrjeteve sociale.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




