40 vite në shërbim të dijes, mësuesia është mision jo thjesht detyrë

Sociale | 8 muaj më parë

E ka nisur profesionin e mësueses 40 vite më parë dhe është përpjekur që dashurinë e madhe që ka për letërsinë ta transmetojë edhe tek të rinjtë. Mësuese Majlida, ashtu siç e thërrasin edhe nxënësit e saj, e nisi punën në fshatin Izvor të Tepelenës. Pas 6 vitesh u transferua në shkollën 8-vjeçare në qytetin e Tepelenës, dhe më pas e vijoi profesionin e saj në Tiranë, në shkollën “Qazim Turdiu” dhe në atë “1 Maji”, ku jep mësim edhe sot.

Tek e pyet, thotë se nuk do ta ndërronte me asgjë profesionin e saj, i cili, edhe pse i vështirë, ia ka mbushur jetën plot me kujtime të bukura.

“Ky është viti 40 i punës time, një vit plot përkushtim, plot pasion. E dua shuëm këtë profesion, është shumë kënaqësi të punosh me nxënësit”, shprehet ajo.

Për shkak të lëndës që ajo jep, është cilësuar si mësuese tolerante, por edhe kërkuese.

“Unë jam natyre e qetë, tolerante. I lë të shprehin mendimet e tyre”, thotë mësuesja.

E cilëson veten me fat që i është dhënë shansi të punojë me fëmijët dhe që, në momente të vështira, ata janë bërë edhe mbështetja e saj më e madhe.

“Kur unë humba bashkëshortin para 3 vitesh, nxënësit erdhën më përqafuan. Ai përqafim dhe ajo qetësia që më dhuruan me atë shikimin në sy, ishte një moment gëzimi për mua, pavarësisht se vija nga një fatkeqësi”, kujton mësuesja

Urimet këtë 7 Mars kanë ardhur nga të gjithë, madje edhe nga ata më çapkënët.

“Dikush mund të ketë qenë edhe pak çapkën, por ka ardhur dhe më ka përqafuar. Është e lodhshme, por ndjejmë që nxënësit na kujtojnë”, shprehet ajo.

Për arsimtarët e rinj, mësuese Majlida ka një këshillë: ta duan profesionin, të respektojnë fëmijët dhe të jenë gjithnjë të duruar e bashkëpunues me ta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme