Rama: Rritje e pagës minimale dhe mbështetje për punëdhënësit
Kryeministri Edi Rama njoftoi gjatë podcastit “Flasim” se paga minimale në Shqipëri do të rritet nga 40 mijë lek në 50 mijë lekë.
Për të lehtësuar ndikimin e kësaj rritjeje mbi bizneset, shteti do të paguajë për 9 muaj të gjithë kontributet shoqërore dhe shëndetësore shtesë për punonjësit që më parë merrnin paga në fashën 40 mijë –50 mijë lekë.
“Pas vendimit që morëm në dhjetor të vitit të kaluar, ose më saktë, që zyrtarizuam, sikundër e kishim premtuar në fushatën tonë elektorale për të arritur pagën minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, kemi ndërmarrë menjëherë edhe hapin tjetër të premtuar për të lehtësuar ndikimin e kësaj rritjeje mbi sipërmarrjet, duke marrë përsipër të paguajnë të gjithë koston e shtuar të sigurimeve për punonjësit për një periudhë 9 mujore dhe kjo gjë është vulosur në mbledhjen e fundit qeverisë, ku është miratuar kompensimi financiar i kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për punëdhënësit për periudhën janar-shtator 2026.
Pra, shteti do të mbulojë 16.7% të kontributeve mbi diferencën e pagës për çdo punonjës që më parë paguhej në fashën 40 mijë deri në 49,999 lekë. Kjo do të thotë se bizneset nuk do të përballen me asnjë kosto shtesë për kontributet, ndërkohë që punonjësit do të marrin një pagë më të lartë, e cila, siç e kemi parathënë, si pagë minimale synojmë që të rritet më tej dhe të bëhet domethënëse në fund të mandatit tonë.
Qëllimi është i qartë, ruajtja e stabilitetit ekonomik, mbrojtja e vendeve të punës, parandalimi i çdo tentative për informalitet mbi normën, ndërkohë që luftojmë me normën dhe një kompensim si një shprehje konkrete e respektit e mbështetjes për biznesin, duke vendosur patjetër të parin punonjësit”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




