“Zgjedhorja”, Celibashi: Procesi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Reforma të jetë gati jo më vonë se qershori 2026

Politikë | 8 muaj më parë

Në një tryezë diskutimi për reformën zgjedhore me drejtues të institucioneve publike dhe ekspertë të fushës, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi rëndësinë e transparencës dhe gjithëpërfshirjes në këtë proces.

Celibashi tha se reforma zgjedhore duhet të jetë gati brenda qershorit 2026, në mënyrë që të mund të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027.

“Transparenca dhe gjithëpërfshirja e këtij procesi është e rëndësishme, cilësia e produktit të kësaj reforme është e lidhur drejtpërdrejt me mënyrën se si kjo reformë do të realizohet dhe ka vend që t’i bëjmë thirrje politikës që janë të angazhuar në këtë proces. Krahas transparencës dhe gjithëpërfshirjes që duhet të ketë procesi, do të shtoja edhe kohën kur kjo reformë duhet të realizohet. Duhet që ndryshimet e këtij ligji të jenë në fuqi jo më vonë se qershori i këtij viti. Në këtë mënyrë partitë politike, KQZ do të kenë kohën e mjaftueshme për të përgatitur zgjedhjet vendore të 2027 siç përcaktohet në Kodin Zgjedhor”, tha Celibashi.

Sipas tij, cilësia e produktit të kësaj reforme lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si ajo do të realizohet, ndaj u bëri thirrje forcave politike që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive për krijimin e një reformë të konsultuar gjerësisht që do të adresojë të gjitha problematikat e dala nga zgjedhjet e zhvilluara në vend.

“Reforma duhet të adresojë të gjitha problematikat e evidentuara gjatë proceseve zgjedhore të mëparshme. Procesi duhet të jetë i hapur, të përfshijë konsultim me institucionet, shoqërinë civile, organet e drejtësisë, median dhe organet kompetente për zgjedhjet. Konsultimi duhet të jetë i gjerë në mënyrë që ndryshimet në legjislacion të mbështeten në një analizë të thellë dhe reale të evidentuar. Transparenca është e rëndësishme për rritjen e besimit, ku ajo përçon interes publik dhe jo vetëm ato politikë të momentit”, tha Celibashi.

Celibashi nënvizoi se një aspekt i rëndësishëm lidhet edhe me mënyrën se si trajtohen shkeljet gjatë periudhës zgjedhore. Celibashi vlerësoi bashkëpunimin mes SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme në zgjedhjet e kaluar duke e cilësuar si një rast suksesi.

“Të forcohet integriteti i procesit zgjedhor, ku një nga aspektet e lidhura është edhe mënyra se si trajtohen shkeljet gjatë periudhës zgjedhore. Për KQZ eksperienca e bashkëpunimit mes Prokurorisë, Policisë dhe SPAK ishte e suksesshme dhe duhet të përmirësohet në të ardhmen. Reforma duhet të jetë proces transparent e i konsultuar gjerësisht pavarësisht peshës politike dhe institucionale të aktorëve”, tha ia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme