Fati i imunitetit të Ballukut- Kuvendi vendos më 12 mars, PS nuk jep autorizim, PD thërret protestë
Më 12 mars, Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare do të vendosë për fatin e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e saj.
Seanca plenare do të nisë me shqyrtimin e dy raporteve të palëve politike, të cilat janë bërë publike dhe gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit.
PS është shprehur se nuk do të japë autorizim për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku. Sipas socialistëve, Balluku tanimë nuk ka asnjë funksion shtetëror dhe si pasojë nuk mund të prishë provat. Masa e bllokimit të pasaportës është e mjaftueshme, kanë deklaruar socialistët në mbledhjen e grupit parlamentar, duke argumentuar më tej se SPAK nuk ka paraqitur prova konkrete që justifikojnë ashpërsimin e masës ndaj deputetes.
Nga ana tjetër, PD në raportin e saj kërkon që t’i hapet rruga SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut. Demokratët argumentojnë se provat që SPAK ka paraqitur në Këshillin e Imunitetit dhe të Mandateve flasin për rëndim të pozitës penale të Ballukut, për kërcënime dëshmitarësh dhe prishje të provave hetimore, ndaj sipas tyre Kuvendi nuk duhet të bëhet mburojë.
Në të njëjtën ditë, PD ka thirrur protestën e radhës kombëtare jashtë ambienteve të Parlamentit. Përfaqësues të kësaj force politike kanë deklaruar se, në rast se deputetët do të votojnë kundër heqjes së imunitetit për Ballukun, godina e Kuvendit do të konsiderohet mburojë për të korruptuarit.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




