Superstrada Lezhë–Milot mbulohet nga tymi i zi, djegia e gomave pranë lumit Mat rrezikon qarkullimin
Superstrada Lezhë–Milot, pranë urës mbi lumin Mat, është mbuluar pasditen e sotme nga shtellunga të dendura tymi të zi, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve në këtë aks rrugor.
Shkak është bërë djegia e gomave të përdorura, të cilat hidhen vazhdimisht pranë brigjeve të lumit Mat dhe më pas u vihet flaka.
Tymi i dendur është përhapur në gjithë zonën, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë segment.
Gazetari i RTSH Elvis Hila, raporton se djegia e materialeve në këtë zonë është kthyer në një problem të përhershëm, që prej kohësh shqetëson banorët dhe drejtuesit e mjeteve për shkak të ndotjes së madhe të ajrit dhe rrezikut që krijon për qarkullimin.
Megjithatë, pavarësisht përsëritjes së kësaj situate, deri më tani nuk ka pasur ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse për ta frenuar atë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




