Arsimi profesional po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj, vajzat po e zgjedhin kuzhinën për të ndërtuar karrierën e tyre
Arsimi profesional po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj, mes tyre edhe vajza që po zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen në profesionet praktike. Në shkollat profesionale, këtë vit nuk mungojnë vajzat që kanë vendosur të ndjekin drejtimin e hoteleri–turizmit.
Marinela dhe Besmela tregojnë se zgjedhja për kuzhinën nuk ka qenë rastësore. Ato shprehen se gatimi është një pasion i trashëguar nga familja, i cili i ka shtyrë të zgjedhin këtë profesion për të ardhmen.
“E kam zgjedhur këtë profesion edhe nga nëna ime, sepse ka punuar më parë diku në një pastiçeri dhe mua më pëlqen shumë,” u shpreh nxënësja Marinela Quka.
“Guzhina është trashëgimi nga prindërit. Mamaja ime punon në pastiçeri. Edhe në shtëpi unë gatuaj shumë,” tha Besmela Pllumbaj, nxënëse e shkollës “Hamdi Bushati”.
Vajzat thonë se nuk e shohin veten vetëm duke gatuar në ambientet e shtëpisë, por synojnë të ndërtojnë një karrierë në këtë fushë. Madje, ato e projektojnë veten në të ardhmen si shefe kuzhine, duke dëshmuar se profesionet e kuzhinës nuk janë më vetëm për djem.
Arsimi profesional mbetet një nga rrugët më të shpejta për t’u integruar në tregun e punës, veçanërisht në sektorë si hoteleri–turizmi, ku kërkesa për profesionistë është në rritje.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




