Miratimi në Kuvend i rezolutës për Iranin-Ilir Alimehmeti: Nuk njoftoi, veproi jashtë Kushtetutës

Aktualitet | 8 muaj më parë

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit se Kuvendi ka vepruar sot kundër Kushtetutës teksa nuk ka njoftuar publikisht se do të miratonte rezolutën që shpall shtetin e Iranit si sponsor të terrorizmit.

Sipas Alimehmetit, në këtë rast nuk ka pasur asnjë njoftim edhe për Partinë Demokratike, e cila e bojkotoi seancën e sotme. Ndërsa kreu i saj, Berisha shpalli Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.

“Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka shpallur Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste, duke thënë; jemi në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit në përpjekjen e tyre për të rrëzuar regjimin e Ajotollahëve.

Arsyeja pse PD-ja nuk ishte në Kuvend është se PD-ja nuk ishte njoftuar.  Unë mendoj se ky shtet është komplet jo kushtetues dhe jo ligjor, funksionon, jashtë ligjeve, jashtë rregullores dhe jashtë Kushtetutës. E përcakton shumë qartë rregullorja që seancat janë ditën e enjte. Nuk është e enjte sot”, u shpreh anëtari i Këshillit të PD-së.

Duke iu referuar rregullores së Kuvendit, Alimehmeti theksoi se seanca mund të mbahej fare mirë ditën e enjte dhe nëse rezoluta e sotme ishte çështje urgjente atëherë sipas tij, duhej bërë një njoftim i tillë.

“Rregullorja thotë  se seancat mund të mbahen kur janë çështje urgjente, apo janë projektvendime të kërkuar me procedurë të përshpejtuar. Elementi i dytë është që zbardhja e procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme ndodh kur ka edhe pika të tjera në rendin e ditës. Pra, nuk mund të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë vetëm për zbardhur procesverbalet e kaluara që po ata i kanë bërë. Ndërkohë që seanca është ditën e enjte dhe ditën e enjte është normale të jetë seanca. Dhe fare mirë mund të ishte bërë ditën e enjte apo të ishte thënë që kemi këtë çështje urgjente që ta kuptonin të gjithë pse duhej mbledhja sot. Z. Peleshi nuk e kupton si funksionon rregullorja e Parlamentit. Nëse kryetari i Parlamentit nuk e di që duhet ta vendosë në rend dite diçka, atëherë ma thoni se çfarë do të thotë kjo”, nënvizoi Alimehmeti, ndërsa shtoi se “ajo çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme është çështje serioze. Është një peshë tejet e madhe, duhet konsideruar me shumë seriozitet, kërkonte diskutim nga të gjitha palët.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme