Siguria kibernetike, eksperti: Legjislacioni dhe menaxhimi i kërcënimeve, pikat më të forta të Shqipërisë. Ja truket që përdoren për hakerimin e qytetarëve

Aktualitet | 8 muaj më parë

Shqipëria ka arritur të renditet e 9-ta në botë në fushën e sigurisë kibernetike, duke siguruar 92.50 pikë dhe duke garantuar një infrastrukturë solide për parandalimin e sulmeve digjitale.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Mustafa Llani, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, theksoi se raporti i NCSI ka vlerësuar 49 elementë të ndryshëm të sigurisë kibernetike, secili me sistem pikësh nga 1 deri në 4.

“Raporti i NCSI renditi Shqipërinë në vendin e 9-të. Janë 49 elementë të cilët janë vlerësuar dhe rezultati total është 92 pikë. Shihen shumë përmirësime sa i përket legjislacionit, politikave, analizimit të incidenteve kibernetike, kërcënimeve dhe menaxhimit të krizave. Një fushë që ka nevojë për përmirësim është Digital Forensics”, tha ai.

Llani nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe edukimit të qytetarëve. Ai i këshillon qytetarët që të mos klikojnë linqet që u vijnë me mesazhe apo në postë elektronike, ndërsa zbuloi se një trik që përdoret nga hakerat për vjedhjen e të dhënave.

“Për qytetarët, këshilla është të mos klikojnë linket që u vijnë në SMS ose postë elektronike, sidomos mesazhe që duken urgjente, si për shembull ‘brenda 2 orësh duhet të aplikoni ose llogaria juaj do të mbyllet’. Edhe gabime të vogla, si ndryshimi i një shkronje në një link, mund të përdoren nga sulmuesit. Apo të shohin përmbajtjet e e-mailit pasi aty për shembull: pjesën Airport ato e bëjnë Airp me Zero dhe jo me O”, theksoi eksperti.

Ai gjithashtu shpjegoi se sulmet kibernetike nuk janë të njëjta dhe mund të vijnë si pasojë e dobësive të sistemeve, gabimeve njerëzore, ose përmes rrugëve të hapura nga klientë të komprometuar.

“Kur arrijmë tek kurcënimet kibernetike, rastet nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Ka raste që mund të vijnë si pasojë e sistemit të dobët, si pasojë e një gabimi të një personi që nuk është ekspert i sigurisë kibernetike, ose nga një klient i komprometuar”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme