Vonesa në punimin e tokave, shkak moti i paqëndrueshëm, specialistët e bujqësisë udhëzojnë fermerët

Bujqësi | 7 muaj më parë

Në bashkinë e Sarandës, moti i paqëndrueshëm ka shkaktuar vonesa në punimin e tokave bujqësore. Fermerët janë përballur me vështirësi, pasi kushtet e lagështa kanë penguar hyrjen e mjeteve bujqësore në parcela. Sipas specialistëve të bujqësisë në Bashkinë e Sarandës, me përmirësimin e kushteve atmosferike, puna në terren ka rifilluar me intensitet të lartë. Fermerët po shfrytëzojnë çdo mundësi për të rikuperuar kohën e humbur dhe për të vijuar procesin e përgatitjes së tokës.

Drejtori i bujqësisë, Mustafa Lama, u shpreh “Si rezultat i përmbytjeve dhe shirave të vazhdueshëm nuk arrinim që të fusnim mjetet bujqësore për të punuar. Gjithmonë, në pritje të përmirësimit të motit, është shtyrë në kohë, kështu që edhe mbjellja e misrit është shtyrë pak. Megjithatë jemi ende në afatet.”

Bashkia e Sarandës disponon rreth 2.375 hektarë tokë bujqësore, nga e cila 92% mbillet kryesisht me kulturën e misrit dhe foragjere.

“Kjo është bërë e mundur si rezultat i pastrimeve të kanaleve vaditëse dhe kulluese, duke e çuar ujin në çdo parcelë të mbjellë.”

Në këtë situatë, fermerët po vijojnë punën duke u mbështetur edhe në këshillat e specialistëve të bujqësisë, me synimin që të shmangen dëmet e mundshme dhe të sigurohet një zhvillim sa më i mirë i sezonit bujqësor në vijim.

Gazetare: B. Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme