Vokshi: PD në “luftë me dy fronte” – Protestat nuk ndalen deri në largimin e qeverisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, një ditë pas protestës së opozitës, ishte e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ku deklaroi se protestat nuk do të ndalen derisa kryeministri Edi Rama të largohet nga pushteti.
Vokshi theksoi se ky është qëllimi kryesor i të gjitha protestave të organizuara nga PD-ja, duke argumentuar se vendimet e Partisë Socialiste kanë mbrojtur korrupsionin dhe se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira dhe as të ndershme.
“Raportet e fundit e kanë cilësuar Shqipërinë si një autokraci elektorale. Pra, ne jemi një vend që organizojmë zgjedhje me shumë parti, por zgjedhjet nuk janë të lira,” u shpreh ajo.
Deputetja demokrate u shpreh se protestat janë kundër represionit ndaj opozitës, duke thënë se shumë prej anëtarëve të saj kërcënohen me procese gjyqësore dhe vendime të parashkruara, të cilat rihapen për t’i mbajtur nën presion.
“Një tjetër problem shumë i madh është represioni që ndiqet ndaj njerëzve të opozitës. Ata kërcënohen me procese gjyqësore, me vendime gjykatash të parashkruara, por që rihapen vetëm për t’i mbajtur nën presion. Ky është një mekanizëm i qartë i pushtetit për të frikësuar dhe për të kontrolluar opozitën. Ne nuk kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj protestat janë e vetmja rrugë për të krijuar kushtet e domosdoshme për një qeveri teknike, që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.”
E pyetur nga gazetarja Sonila Agostini nëse protestat po i humbasin energji opozitës për të zhvilluar debat të brendshëm dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme vendore, Vokshi u përgjigj se PD po zhvillon paralelisht edhe zgjedhje të brendshme në rreth 20 degë.
Sipas saj, kjo tregon se partia është aktive në dy fronte, në aksionin opozitar dhe në përgatitjen për zgjedhje të parakohshme apo vendore.
“Ne sot po zhvillojmë një luftë me dy fronte. Nga njëra anë kemi aksionin opozitar, protestat që janë e vetmja rrugë për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse vendi ndodhet në një autokraci elektorale ku zgjedhjet nuk janë të lira. Nga ana tjetër, kemi zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike, ku po mbahen zgjedhje në rreth 20 degë, sepse PD nuk i emëron kryetarët, por i zgjedh me votë. Pra, ne protestojmë për të krijuar kushtet e domosdoshme për një qeveri teknike, ndërkohë që paralelisht po përgatitemi për zgjedhje të parakohshme apo zgjedhjet vendore. Ky është aksioni ynë politik: një betejë e dyfishtë, në rrugë dhe brenda partisë.” shtoi Vokshi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




