Viti jubilar i Zojës së Këshillit të Mirë, Shkodra vit aktivitetesh që synojnë forcimin e besimit
Shkodra do të përjetojë një vit të veçantë shpirtëror dhe kulturor me rastin e vitit jubilar të Zojës së Këshillit të Mirë, i cili do të nisë më 25 prill 2026 dhe do të zgjasë deri më 25 prill 2027.
Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine, thekson rëndësinë e këtij jubileu për besimtarët, duke e cilësuar si një moment reflektimi, bashkimi dhe ripërtëritjeje të besimit në komunitet.
“Ngjarjet qendrore të vitit jubilar janë më 25 prill 2026, që është edhe vigjilja e festës. Do të bëhet hapja e ekspozitës tematike pranë Bazilikës së Nënës së Këshillit të Mirë, e cila do të përmbajë materiale fotografike, historike, dokumentare,” – u shpreh ai.
Ndërkohë, Rektori i Bazilikës së Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër është ndalur tek domethënia e logos së re të këtij jubileu, e cila pritet të shoqërojë të gjitha aktivitetet përgjatë këtij viti të veçantë.
“Logoja është në një formë rrethi që simbolizon globin, numri 130, por zero është Zonja e Këshillit të Mirë që është zemra, dhe tre vizat simbolizojnë tre lumenjtë që rrethojnë kishën dhe Kalanë,” – u shpreh Dom Artur Jaku, Rektor i Bazilikës “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Të gjithë ipeshkvijtë do të jenë të angazhuar në drejtimin e jubileve përkatës, ndërkohë që zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore, Dom Mark Pashkja, ka bërë të ditur se një ftesë zyrtare nga konferenca ipeshkvnore i është drejtuar edhe Papa Leonit për të qenë pjesë e këtyre kremtimeve. Megjithatë, deri më tani nuk ka ende një përgjigje zyrtare nga Selia e Shenjtë.
Viti jubilar pritet të sjellë në Shkodër jo vetëm besimtarë nga vendi, por edhe pelegrinë të shumtë nga diaspora, duke e kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme të besimit dhe traditës katolike gjatë këtij njëvjeçari.
M. Gjoni/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




