Rritet përdorimi i shërbimeve online, ISSH Shkodër: Të gjitha aplikimet kryhen nga e-Albania
Shërbimet online pa pagesë kanë thjeshtuar ndjeshëm procedurat e aplikimit për pensionet. Në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër, të gjitha shërbimet tashmë ofrohen online, ndërsa numri i qytetarëve që i përdorin këto platforma është në rritje të vazhdueshme. Ndërkohë pranë sporteleve të ISSH-së në Shkodër ofrohet asistencë e vazhdueshme për aplikimet nga qytetarët e interesuar.
“Të gjitha aplikimet për sigurimet shoqërore janë online dhe shërbimet apo mënyra e aplikimit është shumë e thjeshtë. Interesi është”, deklaroi Violeta Staka, drejtoresha e ISSH Shkodër.
Një lehtësi e shtuar për aplikuesit për pensione pleqërie është edhe përfshirja në sistem e dokumentacionit të ish-kooperativave dhe ndërmarrjeve shtetërore para viteve ’90. Ky proces ka bërë të mundur shqyrtimin dhe realizimin e aplikimeve për pension edhe në rastet kur mungon dokumentacioni fizik.
“Kemi mundësinë e kontrollit për gjithsecilin që bën aplikim për pension. Mjafton vetë renditja e periudhave të tyre kontributive dhe nëse nuk shoqërohet me dokumentacion. Për ne është e mundshme verifikimi dhe lidhja e përfitimit”, shtoi Staka.
Ndërkohë, një ndihmë të konsiderueshme për aplikimet online përmes portalit e-Albania jep edhe Bashkia Shkodër, përmes një zyre të posaçme të ngritur për asistimin e qytetarëve në kryerjen e procedurave online, si për pensionet ashtu edhe për shërbime të tjera administrative.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



