Zyrtari i OKB-së: Të ndalet menjëherë lufta SHBA-Izrael me Iranin, vendeve arabe po u kushton shtrenjtë

Një zyrtar i lartë i OKB-së ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të luftës SHBA-Izrael me Iranin, gjë e cila sipas tij, u ka kushtuar vendeve arabe 186 miliardë dollarë.
“Shpresojmë që luftimet të ndalen nesër, sepse çdo ditë vonesë ka pasoja negative për ekonominë globale. Ne vlerësojmë se humbja për PBB-në e rajonit arab si rezultat i vetëm një muaji luftimesh do të jetë rreth 6 për qind. Gjashtë për qind e PBB-së do të thotë që rajoni ka humbur rreth 186 miliardë dollarë nga ekonomia e tij vetëm në një muaj”, tha në Amman zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Abdallah Al Dardari.
Al Dardari, i cili është një nga zyrtarët kryesorë të OKB-së për rajonin arab, tha se vendet e Gjirit të pasur me naftë po mbartin barrën më të rëndë.
“Ndikimi në PBB është shumë i madh në rajonin e Gjirit, ku mund të arrijë deri në 168 miliardë dollarë, dhe në rajonin e Levantit (Lindja e Mesme arabe), ku mund të arrijë rreth 30 miliardë dollarë”, tha ai.
Ai paralajmëroi varësi ekonomike të Gjirit nga nafta, duke thënë se kriza rreth ngushticës jetike të Hormuzit ka provuar nevojën për diversifikim.
“Ekonomia arabe mbështetet praktikisht në një mall të vetëm; edhe vendet që nuk eksportojnë naftë varen nga remitencat e emigrantëve në vendet eksportuese të naftës dhe nga ndihmat e atyre vendeve, ndërsa vetë vendet eksportuese të naftës varen nga një produkt i vetëm.
Kjo brishtësi e ekonomisë arabe u demonstrua nga ngjarjet e fundit, të cilat provojnë se ajo nuk është e qëndrueshme”, u shpreh ai.
Dardari dha alarmin edhe për ndikimin e pritshëm në vendet e punës në një rajon që tashmë është prekur rëndë nga pabarazia.
“Ne vlerësojmë se numri i vendeve të punës që do të humbasim si rezultat i këtij konflikti është rreth 3.7 milionë. Sa i përket ndikimit në varfëri, presim që rreth 4 milionë njerëz të tjerë në rajon të bien, ose tashmë kanë rënë, nën vijën e varfërisë këtë muaj si rezultat i armiqësive”, shtoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




