Rama mbledh kryebashkiakët socialistë në kuadër të nismës “Për punët e Shqipërisë”: Në fokus Paketa e Maleve, emergjencat civile dhe pastrimi i territorit

Politikë | 7 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim të posaçëm me kryetarët e bashkive të drejtuara nga Partia Socialiste, në Pallatin e Kongreseve, në kuadër të nismës “Për punët e Shqipërisë”.

Takimi ka pasur në fokus problematikat e secilës bashki, si dhe diskutimin e masave që lidhen me zhvillimin e territorit dhe përgatitjen për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Në fjalën e tij, Rama ka kërkuar nga kryebashkiakët një angazhim të plotë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe për organizimin e strukturave socialiste, nga njësia më e vogël deri tek drejtuesit vendorë.

Një nga prioritetet e takimit ishte Paketa e Maleve, e cila synon zhvillimin e çështjes së pronave të trashëguara pa dokumente hipotekore, duke u mbështetur nga qeveria shqiptare. Kryeministri ka vendosur një target prej rreth 10 kontratash për çdo bashki, si kusht për rikandidimin në zgjedhjet e ardhshme, raporton gazetarja e RTSH 24, Denada Shkodrani.

Në pjesën e parë të takimit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka adresuar çështjen e pastrimit të vendit para nisjes së sezonit turistik, duke kërkuar që qytetet të jenë në nivel të lartë sa i përket higjienës dhe cilësisë së shërbimit turistik. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të strukturave të emergjencës civile për të shmangur zjarret dhe për të rritur kapacitetet e zjarrfikësve.

Një tjetër pikë e diskutimit ishte ekonomia, ku u trajtua rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe mbështetja për shtresat në nevojë për shkak të luhatjes së çmimeve të ndikuara nga kriza në Lindjen e Mesme.

Takimi i sotëm është pjesë e një sezoni politik të ngjeshur për socialistët, ku prioritet mbetet zhvillimi i territorit, rritja e besueshmërisë së strukturave vendore dhe përgatitja për zgjedhjet e vitit 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme