Bozdo prezanton pr.ligjin për uljen e çmimit të naftës, Kuvendi rrëzon shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar

Politikë | 7 muaj më parë

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për mekanizmin e reagimit të krizave të furnizimit dhe çmimit të lëndëve djegëse”, duke kërkuar kalimin e tij me procedurë të përshpejtuar.

Bozdo theksoi se Shqipëria ka nevojë për ndërhyrje ligjore për uljen e taksave që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e naftës, duke shtuar se aktualisht vendi nuk ka rezerva dhe qytetarët paguajnë çmimet më të larta në rajon, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, projektligji është i përafruar me mekanizmat dhe direktivat e Bashkimit Evropian dhe synon krijimin e një sistemi ligjor që mbron qytetarët në raste krizash.

“Çfarë na ofron qeveria shqiptare sot? Bordin e Transparencës që vetëm vrojton rritjen. Ndërsa mekanizmi ynë është ligji që mbron qytetarët”, u shpreh Bozdo.

Ai shpjegoi se projektligji parashikon mundësinë e ndërhyrjes së qeverisë në raste emergjente, përfshirë uljen e taksave që rëndojnë mbi çmimin e naftës, si taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit. Sipas tij, eliminimi i këtyre taksave do të sillte ulje të ndjeshme të çmimit, duke e afruar me nivelet e vendeve të rajonit, të cilat e tregtojnë naftën 30-40% më lirë.

Bozdo kërkoi miratimin urgjent të projektligjit, duke argumentuar se deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve.

“Ky ligj jo vetëm që mundëson uljen e taksave, por krijon edhe një mekanizëm transparent për menaxhimin e rezervave të sigurisë sipas standardeve evropiane”, tha ai.

Në përfundim, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Bozdos për shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar, me 77 vota kundër.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme