Olen Cezari koncert në Tiranë, së bashku me Orkestrën Simfonike të RTSH dhe artistë të ftuar specialë
Një nga violinistët më karizmatikë të skenës ndërkombëtare, Olen Cezari, u rikthye përpara publikut shqiptar me një koncert që u shndërrua në një përvojë artistike të pazakontë mbrëmjen e 9 prillit.
Me një stil të veçantë interpretimi, ku ndjeshmëria e muzikës klasike gërshetohet natyrshëm me pulsimin e ritmeve moderne, Cezari krijoi një dialog të drejtpërdrejtë me publikun, duke e bërë çdo interpretim të tij unik dhe të papërsëritshëm.
Në skenën e Pallatit të Kongreseve, nën energjinë e muzikës live, ai u shoqërua nga Orkestra Simfonike e RTSH, si dhe nga një ansambël artistësh të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Mes të ftuarve specialë ishin Dren Abazi, Lavinia Mancusi, Enrico Giaretta, Zyliha Miloti, Carlos Paz dhe Roland Cenko, të cilët sollën në skenë interpretime emocionuese.
“Është kënaqësi gjithmonë e jashtëzakonshme për të ardhur në Tiranë. Unë këtu e ndjej veten si në shtëpi, por nuk është një rast i përditshëm të luash në Pallatin e Kongreseve me Orkestrën Simfonike të RTSH, këto janë raste që vijnë shumë rrallë në jetë. Ndaj është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe gjithmonë është privilegj ta ndash skenën me Olen Cezarin.”
Ndërsa vetë Olen Çezari u shpreh për mikrofonin e RTSH se, “Kjo është super, super energji. Koncerti nuk bëhet vetëm nga ne por edhe nga publiku ndaj kjo ka qenë një gjë e përbashkët.”
Kjo ngjarje artistike ishte më shumë se një koncert, një festë e mirëfilltë muzikore, ku tradita dhe moderniteti u ndërthuren në harmoni, duke e kthyer skenën në një hapësirë emocionesh të gjalla, ritmesh dhe bashkëveprimi artistik.
Koncerti do të vijojë edhe për 2 netë të tjera në datat 10 dhe 11 prill në Pallatin e Kongreseve, netë që synojnë të mbeten gjatë në kujtesën e publikut artdashës, si një rikthim i fuqishëm i muzikës që flet përtej fjalëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




