Humbjet në koshere për shkak të spërkatjeve- Bletërritësit në Konispol të shqetësuar, bashkia merr masa
Bletërritësit në Konispol po përballen me një fenomen shqetësues gjatë kësaj periudhe. Spërkatjet e agrumeve me pesticide po shkaktojnë dëme të mëdha në kosheret e bletëve, duke sjellë humbje të konsiderueshme.
Sipas specialistëve të bujqësisë kjo situatë përsëritet çdo vit në këtë sezon dhe rrezikon seriozisht aktivitetin e tyre dhe prodhimin e mjaltit. Përballë kësaj situate, bletërritësit kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve vendore, duke i bërë thirrje bashkisë që të vendosë kufizime të qarta për oraret e spërkatjeve.
Përcaktimi i orareve të kontrolluara do të ndihmoj në mbrojtjen e bletëve, duke shmangur orët kur ato janë më aktive në terren.Specialistja e bujqësisë pranë bashkisë Lorena Zote shprehet se janë ndërmarrë masa konkrete për menaxhimin e situatës.
Ajo thekson se është vendosur një orar i kufizuar për kryerjen e spërkatjeve, me qëllim minimizimin e dëmeve tek bletët. Gjithashtu, kontrollet në terren janë shtuar dhe po kryhen nga policia bashkiake, për të siguruar zbatimin e rregullave dhe për të mbrojtur si fermerët, ashtu edhe bletërritësit.
Nëse këto masa do të zbatohen siç duhet, pritet që bashkëjetesa mes fermerëve dhe bletërritësve të jetë më e balancuar, duke shmangur dëmet dhe duke garantuar vijimësinë e të dy aktiviteteve.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




