Ceremonia e Epitafit, qindra besimtarë i bashkohen ritualit të së Premtes së Zezë

Aktualitet | 7 muaj më parë

​Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin i janë bashkuar ceremonive për të përkujtuar të Premten e Zezë, ditën e mundimeve dhe kryqëzimit të Jezu Krishtit.

E Premtja e Zezë ka bërë bashkë qindra besimtarë në qytetin e Korçës, në një nga momentet më kulmore të Javës së Madhe. Ceremonia e Epitafit në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u shoqërua me lutje dhe procesionin tradicional, nën drejtimin e Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij, Imzot Anastasi.

Pas shërbesës, besimtarët vijuan me procesionin në rrugët kryesore të qytetit, duke ecur pas Epitafit si një shenjë bashkimi në dhimbje, por edhe në shpresën për ringjalljen e afërt.

Në Gjirokastër, besimtarët ortodoksë morën pjesë në ritin tradicional të Epitafit, duke shoqëruar varrin simbolik të Krishtit me lutje, qirinj dhe këngë kishtare. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe përkushtimi.

Në qytetin e Beratit pas përfundimit të riteve fetare, Epitafi, i shoqëruar nga besimtarët ortodoks, ka përshkruar shëtitoren e qytetit, një ritual ky i përvitshëm në qytetin e Beratit. Dy epitafët,ai i dalë nga Katedralja e Shën Dhimitrit dhe ai i dalë nga Kisha e Goricës, janë bashkuar në Urën e Varur, ku pas kryerjes së riteve të rastit, janë kthyer në kishat nga dolën.

Në Fier, ceremonisë i paraprinë tingujt e bandës frymore. Epitafi doli nga Katedralja e Shën Gjergjit, dhe eci në rrugët e qytetit i shoqëruar nga besimtarë të shumtë në lutje për paqe dhe shpresë.

Edhe në Vlorë, ceremonia u përcoll me solemnitet. Me qirinj në duar, besimtarët ndoqën procesionin e përvitshëm që simbolizon dhimbjen dhe besimin në ringjalljen e Krishtit.

Në Durrës, qindra besimtarë u mblodhën në Katedralen e Apostull Pavlit dhe Shën Astit për të marrë pjesë në ceremoninë e Epitafit. Pas shërbesës, procesioni vijoi në rrugët kryesore të qytetit, në një atmosferë përkushtimi dhe reflektimi.

E Premtja e Zezë mbetet dita më e trishtë e kalendarit të krishterë, ndërsa ceremonia e Epitafit shërben si një urë shpirtërore që përgatit besimtarët për festën e ringjalljes, triumfin e jetës mbi vdekjen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme