Kumbaro dhe Koçiu në Shkodër: Investime, paga më të mira dhe kushte dinjitoze për mësuesit dhe arsimin

Sociale | 7 muaj më parë

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu dhe kryetarin e Bashkisë Shkodër Benet Beci patën një bashkëbisedim me mësuesit e Shkodrës për prioritetet e përbashkëta në rritjen e cilësisë arsimore dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare përmes rritjes së pagave dhe zhvillimit profesinal.

“Falë rritjes ekonomike, janë rritur edhe pagat edhe investimet. Rroga mesatare 950 euro për një mësues sot, nuk krahasohet me 5-6 vite më parë, pasi ka rritur standardet, por dhe ambiciet tona, ndërkohë që nga janari ka nisur indeksimi i pagave prej 2.5% që është përkthyer në një rritje edhe për mësuesit. Por motivimi është i rëndësishëm, sepse nuk mund të punojmë mirë nëse nuk kemi kushte të mira fizike, por edhe estetike, që mësimi të jetë kënaqësi. Dhe profesione si ky i mësuesit nuk mund të realizohen bukur nëse nuk është edhe kënaqësi, pasion e dashni. Dhe ju shkodranët e keni të shkruajtur në AND-në e qytetit dhe brezave”, tha ministrja Kumbaro.

Gjatë bisedës, ministrja rikujtoi edhe afatet për licensimin e mësuesve.

“Nuk e kërkon individi, as ministri, është një detyrim që e kërkon ligji. Profesioni i mësuesit është profesion i rregulluar që kërkon licensim për ushtrimin e tij. Kjo krijon standard, garanci, por hap edhe rrugën për të hyrë në karrierën e kualifikimeve të mësuesit”, tha ajo.

Në fund të fjalës së saj, ministrja e Arsimit njoftoi edhe vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për dyfishimin e pagesës për orët e programit pas shkollor duke ftuar gjithë mësuesit dhe artizanët e Shkodrës të japin kontributin e tyre.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu foli për investimet e qeverisë shqiptare në motivimin e personelve mësdhminësve jo vetëm përmes pagave, por edhe mbështetjes me figura të reja në sistemin arsimor që lehtësojnë punën e tyre.
“Krahas programit të oficerëve të sigurisë që e kemi nisur nga shkollat me numër më të madh nxënësish për vetë specifikat që kanë këto shkolla, duke tentuar të rrisim numrin në afro 400 oficerë të cilët na krijojnë një vlerë të shtuar krahas kamerave inteligjente për të garantuar një siguri më të madhe të fëmijëve dhe për t’ju lehtësuar dhe ju në punën e përditshme”, tha ajo.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci foli për investimet në shkollat e Shkodrës: “Transformimin e Shkodrës do ta vazhdojmë në radhë të parë për fëmijët dhe studentët që janë motivi, dashuria dhe energjia e qytetit.”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme