Sulm i armatosur në një shkollë në Turqi, 18 të plagosur. Autori vret veten

Botë | 7 muaj më parë

Një sulm i armatosur ka ndodhur në një shkollë të mesme në Sanliurfa të Turqia, ku mbetën të plagosur 18 persona, ndërsa autori kreu vetëvrasje. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë filmuar momentin e sulmit, ku autori, një ish-nxënës 19-vjeçar, hyri me forcë në ambientet e shkollës dhe hapi zjarr pa dallim ndaj personave që ndodheshin aty.

Nga të plagosurit 4 janë mësues, 10 janë nxënës, 1 është oficer policie, 1 është punonjës i mensës, ndërsa për 2 persona të tjerë ende nuk është konfirmuar identiteti.

Katër prej të plagosurve, dy mësues dhe dy nxënës, janë transferuar në spitale në qendër të qytetit, pasi gjendja e tyre është vlerësuar si e moderuar. Të tjerët po marrin trajtim në Spitalin Shtetëror të Siverekut.

Sipas autoriteteve, autori kishte lindur në vitin 2007 dhe kishte qenë më parë nxënës në këtë shkollë, ku kishte studiuar deri në klasën e nëntë, përpara se të transferohej në një program të hapur të arsimit të mesëm.

Guvernatori i provincës, Hasan Sildak, deklaroi se autori i dha fund jetës së tij pasi u rrethua nga policia.

“Jemi të trishtuar nga ky incident dhe do të hetohet plotësisht. I shpreh ngushëllimet e mia të gjithë komunitetit arsimor. Po e monitorojmë nga afër situatën e të plagosurve,” u shpreh ai.

Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme