Ministri Hoxha: Nevojitet koordinim më i ngushtë për forcimin e lidhjeve me Diasporën

Politikë | 7 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë fjalës së mbajtur në panelin “Diaspora mbarëshqiptare: a po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?”, theksoi rëndësinë e një qasjeje të koordinuar dhe të përbashkët për të përmirësuar lidhjet mes shtetit dhe diasporës, si dhe për të rritur impaktin e saj në zhvillimin e vendit.

Në fjalën e tij, Hoxha deklaroi se ka “disa vende, por një diasporë”, dhe se është e nevojshme të ketë një veprim të përbashkët për të realizuar objektiva të përbashkëta. Ai theksoi rëndësinë e koordinimit të institucioneve dhe organizatave që merren me diasporën, duke përfshirë përfaqësuesit diplomatikë dhe aktorë të tjerë në rajon si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, etj.

“Duhet të vendosim një kalendar të përbashkët dhe të koordinojmë më mirë aktivitetet tona për të maksimalizuar impaktin”, theksoi Hoxha, duke shtuar se ky është hapi i parë për një ndërveprim më të mirë mes shtetit dhe diasporës.

Ministri gjithashtu vuri në dukje se ndihma dhe mbështetja për diasporën duhet të jetë shumë më e harmonizuar në fusha të ndryshme si: gjuha, identiteti, kultura, investimet dhe inovacionet. Ai foli për rëndësinë e krijimit të një koordinimi më të fortë dhe një qasje më të bashkërenduar në fushën e kulturës, duke sjellë shembuj nga qytete dhe vende të tjera ku kjo ka funksionuar me sukses.

Në këtë kontekst, ai ndau disa nga iniciativat që janë duke u realizuar, si drejtoritë e specializuara në ministri, agjencitë kombëtare për diasporën dhe qendrat e botimeve për shqiptarët jashtë vendit, por gjithashtu vuri në dukje se ndonëse janë hapa të rëndësishëm, akoma ekziston një fragmentarizim në këtë proces. “Nuk mund të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të fragmentarizuar. Duhet një qasje e koordinuar dhe e bashkërenduar për të patur impakt real”, tha ai.

Ministri Hoxha përfundoi duke shprehur angazhimin për të punuar ngushtë me të gjitha palët për të forcuar lidhjet me diasporën dhe për të siguruar që shqiptarët jashtë vendit të kenë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet ku ata jetojnë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme