Samiti i IV i Diasporës, ish-kryeministri malazez, Abazoviç: Bashkëpunimi rruga e vetme për të shmangur konfliktet

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, gjatë fjalës së tij në Samitin e IV të Diasporës në Tiranë, theksoi rëndësinë e bashkimit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve në rajon dhe më gjerë.
Ai u shpreh se samiti përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, duke sjellë së bashku shqiptarët për të diskutuar çështje që lidhen me të drejtat dhe sfidat e tyre.
“Unë mendoj se sot jemi duke bërë atë që duhet. Sot jemi së bashku, duke diskutuar, duke hapur tema që kanë të bëjnë me problemet e shqiptarëve në rajon dhe botë”, tha ai.
Abazoviç theksoi se të drejtat e arritura nga shqiptarët duhet të mbrohen dhe të avancohen më tej, duke nënvizuar se ato nuk mund të zhbëhen.
“Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të mbështesim shqiptarët në mbrojtje të të drejtave që janë arritur. Të drejtat e arritura nuk mund të hidhen poshtë, ato vetëm mund të avancohen”, tha Abazoviç.
Ai u ndal edhe te perspektiva europiane, duke theksuar se Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë të njëjtin vizion për integrimin në Bashkimi Evropian.
“Ne së bashku duhet të integrohemi në BE dhe aty do të takohen të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të jetë një arritje historike për të gjitha gjeneratat”, shtoi ai.
Në përfundim, Abazović theksoi rëndësinë e frymëzimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, duke paralajmëruar për pasojat e mungesës së tij.
“Duhet të frymëzojmë njëri-tjetrin. Nëse nuk bashkëpunojmë, do të shkojmë në konflikt. Mali i Zi e ka ndjerë në trupin e vet sa i dëmshëm është konflikti me fqinjët”, tha Abazoviç.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




