Nga sot 40% më pak autobusë në qarkullim, operatorët: Rritja e naftës ka shkaktuar krizë në transportin publik

Duke nisur nga sot, 15 prill, qytetarët në të gjithë vendin do të përballen me një reduktim prej 40% të autobusëve në linjat urbane dhe interurbane. Vendimi është paralajmëruar nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, të cilat theksojnë se kjo masë është e detyruar për shkak të vështirësive të rënda financiare që po përjeton sektori.
Sipas përfaqësuesve të operatorëve, shkaku kryesor i situatës është rritja e ndjeshme e çmimit të karburantit, e cila ka rritur ndjeshëm kostot operative. Ata bëjnë të ditur se, megjithëse ky shqetësim është ngritur prej javësh, deri më tani nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi nga institucionet përgjegjëse.
Shoqatat theksojnë se mungon një plan konkret për të lehtësuar barrën financiare të operatorëve të transportit publik. Ndër faktorët kryesorë që rëndojnë mbi operatorët përmenden akciza e karburantit, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja, të cilat, sipas tyre, kërkojnë rishikim urgjent në kushtet aktuale ekonomike.
Reduktimi i numrit të autobusëve pritet të sjellë vonesa dhe mbingarkesë në linjat ekzistuese, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




