Shënohen sot 27 vite nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës

Shënohet sot (16 prill) 27-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës 1998-1999, rreth një milion shqiptarë të Kosovës u detyruan të linin shtëpitë e tyre për shkak të dhunës së forcave paramilitare serbe.
Ata gjetën strehim kryesisht në Shqipëri, Maqedoni dhe në disa raste në Malin e Zi.
Eksodi arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në mars 1999, kur mijëra shqiptarë kaluan kufirin drejt Kukësit. Më 27 mars 1999, 187 refugjatët e parë arritën në Kukës, shumica prej të cilëve ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin dhunuar dhe ishin në gjendje të rëndë fizike dhe mendore. Ata u strehuan në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina”. Në të njëjtën ditë, Kukës priti 12,721 refugjatë, ndërsa ndihmat ushqimore ishin të menjëhershme.
Numri i refugjatëve u rrit shpejt, dhe deri më 28 mars, Kukësi priti më shumë se 13,000 kosovarë. Ndihma e shpejtë erdhi nga autoritetet lokale, që hapën shkolla, çerdhe dhe depo për të strehuar refugjatët. Pjesa më e madhe e refugjatëve u strehua në familje kuksiane, ku çdo familje mikpritëse priti mesatarisht 14 kosovarë.
Më pas, më 16 prill, Kukësi shënoi Ditën e Eksodit, një ditë falënderimi për popullin kuksian që priti refugjatët. Obelisku në Kukës është një simbol i kësaj dite, ndërtuar për të nderuar mikpritjen dhe sakrificën e atyre që hapën dyert për të strehuar vëllezërit e tyre kosovarë.
Po ashtu, në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit, qëndron monumenti “Muri i Kujtesës”, që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare dhe kujtimin për ata që kontribuan në lirinë e Kosovës.
Ky është një përkujtim i dhimbshëm i sakrificave të shqiptarëve të Kosovës dhe ndihmës që ata morën gjatë periudhës më të vështirë të jetës së tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




